Mashtroi disa qytetarë duke u marrë para pa hapur procese gjyqësore, Prokuroria Fier çon në gjyq avokaten

Nga A2 CNN
2 Dhjetor 2025, 13:57 | Kronikë

Mashtroi disa qytetarë duke u marrë para pa hapur procese

Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq një avokate për  veprën penale ‘Mashtrimi’ më shumë se një herë. Sipas njoftimit të Prokurorisë avokatja kishte përvetësuar shuma të ndryshme parash nga disa persona, duke pretenduar se këto pagesa ishin për përfaqësim ligjor në procese gjyqësore apo veprime administrative. Por hetimet provuan se asnjë proces gjyqësor nuk ishte hapur dhe asnjë procedurë nuk ishte kryer nga ana e saj.

Gjatë hetimeve rezultoi se ndaj avokates Alma Bala ishin depozituar disa kallëzime nga qytetarë të ndryshëm, të cilat u bashkuan në një dosje hetimore. Denoncimet e shtuara nga viti 2018 deri në 2021, tregonin një skemë të përsëritur mashtrimi.

“Nisur nga fakti që për këtë shtetase janë bërë edhe kallëzime të tjera nga shtetas të ndryshëm, me këtë procedim janë bashkuar edhe kallëzimi penal nr. 246/2021, procedimet nr. 724 i vitit 2019, nr. 734 i vitit 2019, nr. 95 i vitit 2020, nr. 111/2020, nr. 728 vitit 2019 dhe nr. 512 i vitit 2020. Nga hetimet, mbi procedimin penal nr.181, datë 16.03.2018, pas denoncimeve të bëra nga shtetas të ndryshëm, rezultoi se e pandehura A.B. në cilësinë e avokates nëpërmjet gënjeshtrës i ka përvetësuar personave të ndryshëm, shuma të ndryshme monetare me pretendime se kjo vlerë i duhej për përfaqësimin si avokate, por në fakt, nga ana e të pandehurës, nuk është hapur asnjë proces gjyqësor apo nuk janë kryer veprimet administrative apo procedurale të pretenduara prej saj”, njofton prokuroria e Fierit.

Në disa raste, për të fituar besimin e tyre, avokatja A.B. u ka dorëzuar viktimave dokumente që nuk pasqyronin realitetin. Shumica e personave të dëmtuar jetonin jashtë vendit dhe, duke qenë larg, nuk kishin mundësi të verifikonin ecurinë e proceseve që avokatja pretendonte se po ndiqte.

“Për ta bërë të besueshme pretendimin e saj, në raste të caktuara, ajo i ka dorëzuar shtetasve akte që përmbajtja e tyre nuk përfaqësonte realitetin. Kjo mënyrë veprimi nga e pandehura është përdorur edhe në raste të tjera dhe përgjithësisht të dëmtuarit identifikoheshin shtetas të cilët jetonin jashtë territorit dhe nuk kishin mundësi të ishin prezent në çdo kohë në Shqipëri dhe nuk kishin informacione në lidhje me procedurat gjyqësore apo administrative që pretendonte që ndiqte avokatja në emër të tyre”, vijon prokuroria.

Në përfundim të hetimeve, organi i akuzës ka dërguar për gjykim të pandehurën A.B për veprën penale “Mashtrimi” më shumë se njëherë, në dëm të viktimave A.S, K.S, O.Sh dhe D.L, parashikuar nga neni 143/2 i Kodit Penal dhe të veprës penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda, në dëm të viktimës M.Sh, parashikuar nga neni 143/3 i Kodit Penal dhe për veprën penale “Falsfikimi i dokumentave”, parashikuar nga neni 186 pg.3 i Kodit Penal. 

Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë për hetimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale që prekin pasurinë dhe të drejtat ekonomike të subjekteve të dëmtuar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos