Mbanin me forcë një 16-vjeçar nga Afganistani në Shkodër, arrestohet 18-vjeçari, në kërkim i vëllai

Nga A2 CNN
14 Tetor 2024, 10:18 | Kronikë

Mbanin me forcë një 16-vjeçar nga Afganistani në

Policia e Shkodrës, në bashkëpunim me Interpol Tirana, ka finalizuar operacionin policor të koduar "Minoreni", duke shpëtuar një të mitur 16-vjeçar nga Afganistani, i cili mbahej me forcë dhe dyshohej të ishte trafikuar. I mituri u gjet në një servis në fshatin Berdicë e Mesme dhe u shpëtua në gjendje të mirë shëndetësore.

Në kuadër të këtij operacioni, Policia arrestoi Alehandro Pashukun, 18 vjeç, banues në fshatin Berdicë e Mesme, për akuzën e “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Gjatë kontrollit në servisin në pronësi të familjes së tij, u sekuestruan një armë zjarri automatik, një pistoletë imituese zhurme, një armë sportive pneumatike dhe municion luftarak.

Njëkohësisht, vëllai i tij, Kristjan Pashuku, 33 vjeç, u shpall në kërkim për veprën penale të “Trafikimit të të miturve”, pasi dyshohet se ka qenë i përfshirë në shfrytëzimin e të miturit afgan për punë të detyruar. Ndërkohë, dy anëtarë të tjerë të familjes, L. P., 31 vjeç dhe A. P., 57 vjeç, u proceduan në gjendje të lirë për akuzat e “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve”, “Fshehjes së të ardhurave” dhe “Kontrabandës me mallra të tjera”, , shkruan A2.

Operacioni u zhvillua pas marrjes së informacioneve nga Interpol Tirana për mbajtjen me forcë të 16-vjeçarit në servisin e familjes Pashuku. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Forca e Posaçme “Shqiponja” organizuan një aksion të mirëkoordinuar për shpëtimin e minorenit dhe arrestimin e përgjegjësve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos