
Mbi 1.2 milionë pasagjerë dhe 7.480 avionë janë përpunuar gjatë muajit maj në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, ndërsa Policia Kufitare e Tiranës raportoi rritje të ndjeshme të fluksit të lëvizjeve në prag të sezonit turistik.
Në një konferencë të përbashkët me drejtorin e Policisë së Tiranës, Drejtori i Kufirit dhe Migracionit Tiranë, Ermal Haxhi, bëri bilancin e një muaji. Ai deklaroi se fluksi maksimal brenda 24 orëve ka arritur në 47.358 pasagjerë dhe 270 avionë.
“Gjatë muajit maj 2026, në pikën e kalimit kufitar Aeroporti Rinas janë përpunuar 1.234.500 shtetas dhe 7.480 avion. Fluksi maksimal i regjistruar brenda 24 orëve ka arritur në 47.358 shtetas dhe 270 avion, tregues që konfirmojnë rritjen e ndjeshme të lëvizjeve ndërkufitare në ketë fillim sezonit turistik”, tha ai.
Për përballimin e këtij fluksi, në Rinas janë funksionale 37 sportele kontrolli dhe sistemet elektronike E-Gate, ndërsa po vijon instalimi i teknologjive të reja për përshpejtimin e procedurave kufitare.
Në luftën kundër paligjshmërisë, Policia Kufitare evidentoi 34 vepra penale me 36 autorë, me një shkallë zbulueshmërie 100%. Ndër rastet kryesore janë 7 procedime për mosdeklarim të parave në kufi, ku janë sekuestruar mbi 59 mijë euro, 48 mijë paund dhe 20 mijë dollarë, si dhe 5 raste falsifikimi dokumentesh, për të cilat u arrestuan 2 persona dhe u sekuestruan pasaporta e karta identiteti të dyshuara si të falsifikuara.
Gjatë muajit maj u kapën gjithashtu 38 persona në kërkim, mes tyre 8 në kërkim ndërkombëtar, ndërsa 6 prej tyre u arrestuan me qëllim ekstradimi.
Një tjetër tregues i rëndësishëm ishte rritja e aplikimeve për leje qëndrimi dhe leje unike për shtetasit e huaj. Sipas Policisë Kufitare, gjatë muajit maj u regjistruan 1.716 aplikime online, 23% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. (A2 Televizion)