Më 18 dhe 25 shkurt, Kushtetuesja "filtron" sekuestrot për Ahmetajn e Berishën

Nga A2 CNN
1 Shkurt 2025, 15:44 | Kronikë

Gjatë muajit shkurt Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë dy ankime të bëra kundër sekuestrove të SPAK për llogari të hetimeve ndaj ish-zv.kryeministrit, Arben Ahmetaj dhe ish-kryeministrit, Sali Berisha.

Më 18 shkurt, në orën 10:00 anëtarët e Kushtetueses do të marrin në shqyrtim ankimin e Arben Ahmetajt kundër sekuestrimit të disa pronave e llogarive bankare të tij, shkruan A2 CNN.

Në një seancë plenare, që do të zhvillohet mbi bazë dokumentesh, pra pa praninë e avokatëve të Ahmetajt, anëtarët e Kushtetueses do të vlerësojnë pretendimet e ish-numrit dy të qeverisë për shfuqizim të vendimit të Gjykatës së Posaçme të korrikut 2023.

Ky vendim pranonte kërkesën e SPAK për sekuestrimin e gjashtë pasurive, katër apartamente dhe 2 llogari bankare, vendim që u la më pas në fuqi edhe nga Apeli i Posaçëm dhe Gjykata e Lartë.

Ahmetaj pretendon shkelje të Kushtetutës, për shkak të cënimit të së drejtës së pronës dhe të drejtës për të patur një vendim gjyqësor të arsyetuar. Gjyqtarëve kushtetues ish-zv.kryeministri iu kërkon shfuqizim të këtyre vendimeve dhe dërgimin e çështjes për rigjykim në Gjykatën e Posaçme.

Një javë më vonë, më 25 shkurt, Gjykata Kushtetuese ka caktuar seancën e shqyrtimit të një ankimi të bërë nga Studio Pustina, studio ligjore që i është nënshtruar kontrolleve nga SPAK në kuadër të hetimit ndaj ish-kryeministrit Berisha, ku janë sekuestruar një kompjuter lap-top dhe disa dokumente shkresorë.

Në ankim, Studio Pustina i konsideron si antikushtetues vendimin e Gjykatës së Posaçme dhe dy shkallëve më të larta dhe kërkon shfuqizimin e tyre. Teksa Kushtetuesja do të kalojë në filtër vendimet përkatëse të tre shkallëve të gjyqësorit, Ahmetaj vijon t’i fshihet drejtësisë shqiptare, që ndërkohë po e heton në dy dosje të ndryshme për “korrupsion”, “pastrim parash”, “fshehje pasurie” dhe “shpërdorim të detyrës”.

Ndërsa dosja penal ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, i marrë i pandehur për “korrupsion”, po i nënështrohet shqyrtimit paraprak në Gjykatën e Posaçme, shkruan A2 CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos