
Një 39-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë së Tiranës, pasi u kap në Rrugën e Dibrës duke qarkulluar me pistoletë në automjet. “Blutë” bëjnë me dije se shtetasit me inicialet R.T., i janë sekuestruar arma e zjarrit me krehër dhe fishekë, si dhe automjeti, raporton A2CNN.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në kuadër të aksioneve të njëpasnjëshme, të mbështetura te kontrollet dhe puna operative, me fokus evidentimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, finalizuan operacionin e koduar “Poseduesi” ”, thuhet në njoftim.
“Gjatë operacionit, në Rrugën e Dibrës, u ndalua automjeti që drejtonte shtetasi R. T. Në automjet u gjet 1 armë zjarri pistoletë me krehër dhe fishekë, që posedohej pa leje, nga ky shtetas. Në përfundim të veprimeve procedurale, shtetasi R. T., 39 vjeç, banues në Tiranë, u arrestua në flagrancë, për veprën penale "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak"”, vijon njoftimi.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)