
Pas kërkesave të përsëritura të zyrtarëve e ish-zyrtarëve të lartë të pandehur në Gjykatën e Posaçme, për të mos u mbajtur të izoluar në sallën e gjyqit, i pari që mundi të “thyejë” kafazin e xhamtë ishte ish-ministri i shëndetësisë, Ilir Beqaj, Gjykata e Posaçme pranoi të martën kërkesën e bërë nga Beqaj, për të mos u mbajtur në kafaz, por në krah të avokatit të tij në çështjen “Sterilizimi”, raporton A2 CNN.
Në vendimin pranues gjykata argumentoi se Beqaj në këtë proces ka masën e sigurisë “detyrim për paraqitje”, se është vetëm një i pandehur dhe se në vijimësinë e procesit nuk është shfaqur ndonjë specifikë që të cenojë sigurinë.
Por sipas gjykatës, lejimi i Beqajt në krah të avokatit në sallë do të zbatohet në seancën e radhës, pasi të jetë njoftuar Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për marrjen e masave.Për shkak të masës së butë ndaj Beqajt tek “Sterilizimi” as prokurori i çështjes nuk pati kundërshti për nxjerrjen nga kafazi, por i kërkoi gjykatës të mbajë parasysh faktin se masa “arrest në burg” është për një tjetër çështje, shkruan A2 CNN.
Në proceset përkatëse gjyqësore në Gjykatën e Posaccme, kërkesë për të mos u mbajtur në kafazin e sallës kanë bërë edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, dhe ish-Presidenti i Republikës, Ilir Meta. Sipas tyre, mbajtja në kafaz është trajtim diskriminues, degradues dhe degjenerues, por deri më tani, nuk kanë mundur të bindin gjykatën për të kundërtën. (A2 Televizion)