"Morën e dhanë ryshfet”, SPAK zbardh dosjen, 8 çështjet që "dogjën" kryeprokurorin e Vlorës

Nga Armand Bajrami
30 Korrik 2024, 23:00 | Kronikë

Prokuroria e Posaçme, SPAK, listoi të martën 8 çështje penale në të cilat dyshohet të kenë shtrembëruar drejtësinë, përmes ndikimit të paligjshëm dhe korrupsionit, drejtuesi i Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka, ish-oficerja e Policisë Gjyqësore, Erion Daupaj, avokati Radovan Çela dhe Astrit Vladi.

Përmes një komunikimi zyrtar, SPAK tha se prokurori i arrestuar dhe tre të tjerët të shpallur në kërkim, kanë ofruar dhe premtuar ryshfet për të ndikuar tek funksionarët e drejtësisë, kanë pranuar dhe ofruar ryshfet për të ushtruar ndikim të funksionarëve të drejtësisë, si edhe kanë kërkuar ryshfet për të kryer vetë veprimet të paligjshme.

Sipas hetimit të drejtuar nga prokurori Klodian Braho, katër nga çështjet penale, që dyshohet të jenë gjetur zgjidhje përmes ndikimit të paligjshëm dhe korrupsionit, i përkasin dosjes së shumë lakuar “Toyota Yaris” të vitit 2018, kur ish-prokuroria për Krimet e Rënda hetoi rastin e një shumë prej 3.4 milionë euro të bllokuara në Portin e Durrësit në bordin e një automjeti “Toyota” të mbërritur nga Belgjika.

SPAK pretendon se ka dokumentuar ndërhyrje në hetimin e parë ndaj Alfred Vladit, Elvis Vladit e Alban Mollaymerit të akuzuar për “pastrim parash” e “grup kriminal” në ish-Prokurorinë për Krimet e Rënda, si dhe në hetimin e të njëjtës çështje kur kaloi për kompetencë në Prokurorinë e Tiranës për akuzën e “mosdeklarimit në kufi të të hollave”, duke përfshirë seancën për ndryshimin e masave të sigurimit, fazën e caktimit të gjyqtarit të seancës paraprake dhe seancës paraprake.

Po për dosjen “Toyota Yaris” të dyshuarit akuzohen se kanë ndikuar në ekzekutimin e disa letër-porosive të dërguara në Belgjikë për rastin, e po ashtu në hetimin pasurisë ndaj tre të akuzuarve. Referuar njoftimit zyrtar të SPAK, korrupsion dhe ndikim nga të dyshuarit është bërë edhe për hetimin pasuror të vitit 2020 për llogaritë operacioni forca e Ligjit ndaj pasurive të Suel Çelës, i shpallur në kërkim nga operacioni “Plumbi i artë”, një çështje penale për “vjedhje” të shqyrtuar në Gjykatën e Tiranës, mosfillimin e hetimit për një referim të bërë nga Policia e Himarës në Prokurorinë e Vlorës, si edhe një çëshje ndaj një të akuzuari për “kultivim të narkotikëve” në Gjykatën e Vlorës.

Të dyshuarit akuzohen për ushtrim ndikimi të paligjshëm e korrupsion, ndërsa ish-oficerja Daupaj edhe për “nxjerrje të të dhënave sekrete”.

SPAK tha se hetimi është i hapur për fakte të reja apo persona të tjerë të përfshirë, duke lënë të hapur edhe mundësinë e vënies para përgjegjësisë të prokurorëve apo gjyqtarëve që kanë pranuar ryshfet nga të dyshuarit e këtij hetimi.

Struktura e Posaçme u ndihmua në këtë hetim nga bisedat e dekriptuara të aplikacionit Sky ECC, të vëna në dispozicion nga autoritetet belge dhe franceze të drejtësisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos