Mbrëmja e 12 gushtit dhe mëngjesi i datës 13 mund të cilësohen si ndër më të vështirat që ka kaluar vendi për shkak të zjarreve që kanë përfshirë sipërfaqe të konsiderueshme thuajse në të gjithë vendin.
Bashkitë e Gramshit, Poliçanit, Delvinës kanë kaluar momentet më të vështira që kanë njohur ndonjëherë edhe që nga koha e Luftës së Dytë Botërore, shkruan A2.
Zjarri i rënë në fshatin Kullollas të Gramshit, i dyshuar i ndezur nga një banor që rezultoi edhe viktima e parë e këtyre zjarreve, rezultoi fatal për të paktën 7 fshatra që në mënyrë zinxhir u përfshinë nga flakët përgjatë pasdites dhe natës së mbrëmshme.
Operacione masive evaukimi, diklokime forcash nga ajri dhe nga toka nuk arritën të shpëtojnë fshatrat nga djegia, por shpresohet të kenë shpëtuar njerëzit, një pjesë e të cilëve u evakuuan edhe me forcë pasi nuk pranonin të linin banesat dhe gjënë e gjallë.
Thuajse e njëjta situatë po zhvillohej edhe në bashkitë e Poliçanit dhe Delvinës, ku gjithashtu u lëshua alarmi për evakuime të menjëhershme jo vetëm të banorëve të zonave rurale, por edhe pranë qyteteve, pasi zjarri arriti shumë pranë pallateve, banesave dhe bizneseve.
E ndërsa vëmendja u përqendrua në këto tre bashki, zona të tëra rurale të Tepelenës, të Bashkisë së Korçës dhe madje dhe në veri janë përballur gjithashtu me zjarre masive, por që fatmirësisht nuk kanë rrezikuar fshatra dhe njerëz. (A2 Televizion)