Atentati i dyshuar nga Moska, Danimarka thirrje vendeve të BE për masa kundër Rusisë

Nga A2 CNN
21 Nëntor 2026, 18:10 | Bota

Atentati i dyshuar nga Moska, Danimarka thirrje vendeve të BE për masa

Danimarka u ka bërë thirrje vendeve të tjera anëtare të Bashkimit Europian të ndërmarrin hapa konkretë për t’iu kundërvënë Rusisë, pasi njoftoi se kishte parandaluar një atentat, që dyshohet se ishte planifikuar nga shërbimet sekrete ruse.

Kjo kërkesë u përcoll përmes një dokumenti drejtuar qeverive të vendeve të BE-së, përmbajtja e të cilit u konfirmua nga dy diplomatë.

Policia daneze dhe zyrtarët e sigurisë njoftuan të premten se kishin parandaluar në shtator një përpjekje të shërbimeve ruse të inteligjencës për të vrarë një reper me shtetësi amerikane dhe ukrainase, përpara një performance të tij.

Ministri i Jashtëm danez, Lars Lokke Rasmussen, e cilësoi këtë akt si një shkelje të papranueshme, ndërsa Danimarka njoftoi dëbimin e atasheut ushtarak rus.

Mesazhi, i siguruar nga agjencia e lajmeve Reuters dhe i shpërndarë të premten në mbrëmje te diplomatët e lartë europianë, propozon që Bashkimi Europian të vendosë kufizime të mëtejshme për hyrjen e shtetasve rusë në zonën Shengen, e cila përfshin 29 vende.

Në dokument sugjerohet pezullimi i vizave turistike për qytetarët rusë, si dhe mosnjohja e pasaportave ruse që nuk përmbajnë të dhëna biometrike në të gjithë zonën Shengen.

Danimarka pritet t'i paraqesë propozimet e saj në një takim të ambasadorëve të vendeve të BE-së, që do të mbahet të hënën në Bruksel.

“Ne duhet të ndërmarrim veprime konkrete që të tregojnë forcën dhe vendosmërinë europiane”, thuhet në mesazh. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos