Ashtu siç A2CNN ka paralajmëruar prej kohësh, ndryshimet në Policinë e Shtetit vijojnë të ndodhin hap pas hapi.
Kësaj radhe, dorëheqjen e ka dhënë drejtori i Policisë së Dibrës, Artion Duka. Me urdhër të Ilir Prodës, është caktuar përkohësisht në detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, Armir Gjikolaj.
Edhe pse Policia e Shtetit informon se Duka është dorëhequr për arsye familjare, në të vërtetë shkaqet janë të tjera. Kujtojmë që prej kohësh Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka vendosur në test të gjithë drejtorët e policisë në çdo qark lidhur me performancën dhe rezultatet. Vlerësimi po bëhet nga drejtoria e Standarteve nën mbikëqyrjen e drejtorit të përgjithshëm.
Një muaj më parë, Ilir Proda shkarkoi nga posti i drejtorit të Policisë Lezhë, Altin Menën për performancë të dobët. Pas shkarkimit të Menës, detyrën e mori drejtuesi Islor Islami. Nën drejtimin e Islamit në një afat kohor të shkurtër Policia e Lezhës zhvilloi dy goditje të rëndësishme, zbuloi një kazino brenda në qytet dhe një godinë trekatëshe pranë autostradës ku kultivohej kanabis nën hundën e policisë.
Ndryshimi i drejtorit të Policisë së Dibrës nuk do të jetë i fundit, në muajt në vijim pritet të ketë ndryshime në drejtim edhe në qarqet e tjera të vendit. Në proces vlerësimi performance janë Qarku i Fierit, Beratit dhe Gjirokastrës.
Ndërkohë, vijon të mbetet pezull gara për drejtorët e departamenteve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Në nëntor 2025, ish drejtuesja e BKH, Aida Hajnaj bëri padi në Gjykatën Administrative, ku kërkonte pezullimin e garës së policisë për drejtorë departamentesh derisa gjykata të shpallë vendimin. Ajo kërkon të kthehet si zv.drejtoreshë e përgjithshme e policisë, ose drejtoreshë departamenti. Më datë 10 shkurt do të mbahet seanca, për të vendosur edhe zgjidhjen e ngërçit.
Në tetor 2025, Proda hapi garën për dy departamente, për Kufirin dhe Migracionin dhe për Marrëdhëniet Ndërkombëtare. Për departamentin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare ka aplikuar drejtuesi aktual, oficeri i karrierës Pëllumb Seferi, nën drejtimin e të cilit janë kryer ekstradimet më të bujshme nga Dubai të personazheve të botës së krimit, duke thyer edhe mitin e ekstradimeve nga Emiratet Arabe.
Departamenti i Marrëdhënieve ndërkombëtare cilësohet si departamenti me rezultatet më të larta ndër vite në policinë e Shtetit.
Ndërkohë, vijon të mbetet e pa hapur gara për drejtorin e Departamentit të Policisë Kriminale, post i cili mbahet nga Neritan Nallbati. Ende nuk dihen arsyet e mos hapjes së garës, ku ligji për Policinë e Shtetit e përcakton qartë që duhet hapur garë. (A2 Televizion)