
Policia e Durrësit ka finalizuar operacionin policor të koduar “Ndjekja”, duke lokalizuar dhe arrestuar 6 shtetas të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Mes tyre janë dy persona të dënuar me burg për prodhim dhe shitje narkotikësh si dhe ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, një shtetas i akuzuar për vjedhje dhe tre të tjerë të dyshuar për mashtrim dhe kundërshtim të punonjësit të policisë.
Në pranga ranë Abdyl Kaçaça, i dënuar me 5 vjet e 6 muaj burg për narkotikë, dhe Jorid Muçeku, i dënuar me 3 vjet e 4 muaj burg për ndihmë në kalimin e paligjshëm të kufirit. Gjithashtu u arrestua edhe një 45-vjeçar për vjedhje.
Tre shtetas të tjerë, të dyshuar për mashtrim dhe kundërshtim të policisë, janë proceduar penalisht, dy prej tyre në gjendje të lirë.
Njoftim i DVP Durrës / Lokalizohen dhe kapen 6 shtetas të shpallur në kërkim:
✅ 2 prej tyre të dënuar për prodhim/shitje narkotikësh dhe dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit;
✅ 1 shtetas i akuzuar për vjedhje;
✅ si dhe 3 të tjerë të dyshuar për veprat penale “Mashtrimi”, “Mashtrimi i kryer në bashkëpunim” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.
Si rezultat i kontrolleve dhe punës operative, të kryera me qëllim lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të kërkuar për vepra penale të ndryshme, specialistët e Seksionit për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, në kuadër të operacionit “Ndjekja”, lokalizuan, kapën dhe vunë në pranga shtetasit:
Abdyl Kaçaça, 35 vjeç, banues në Durrës, të cilin Gjykata e Apelit, në vitin 2024, e ka dënuar me 5 vjet e 6 muaj burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Prej dënimit, atij i kanë mbetur për të vuajtur 2 vjet e 9 muaj burgim;
Jorid Muçeku, 27 vjeç, banues në Durrës, i cili me vendim të formës së prerë të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan ka për të vuajtur 3 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”;
V. T., 45 vjeç, për të cilin Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja”;
E. S., alias E.H, 35 vjeç, banues në Laç, për veprën penale “Mashtrimi”;
B. D., 33 vjeç, banues në Kavajë, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, i cili në përfundim të veprimeve është proceduar penalisht në gjendje të lirë.
E. S., 35 vjeç, banues në Durrës, i shpallur në kërkim nga Drejtoria Vendore e Policisë Korçë, për veprën penale “Mashtrimi”, i cili i cili në përfundim të veprimeve është proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Vijon puna për kapjen e personave të tjerë të shpallur në kërkim.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)