
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka shpallur fajtorë 5 persona të akuzuar për "korrupsion në zgjedhje", pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme.
Asnjëri prej tyre nuk rrezikon të burgoset, për shkak se GJKKO ka pezulluar dënimet me burg dhe dhënë për ta dënime alternative, Shërbim Prove dhe punë në interes të publikut.
Sipas SPAK, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë siguruar dhe ofruar bileta udhëtimi të parapaguara për persona të ndryshëm (të dokumentuara në 64 raste), me qëllim që të votonin në favor të kandidatit, Shkëlqim Hoxha, në zgjedhjet vendore të vitit 2023 në Bashkinë Rrogozhinë.
Gjykimi u zhvillua me procedurë të shkurtuar dhe trupa gjykuese, e përbërë nga gjyqtaret Atalanta Zeqiraj, Flora Hajredinaj dhe Irena Gjoka, vendosi të shpallë fajtorë për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, e kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë për Limon Shalën, Fatmir Thaçin, Engjell Caran dhe Florant Saraçin.
Por secili prej tyre u dënua fillimisht me 1 vit e 6 muaj burgim, dënim i cili u ul me 1/3 për shkak të gjykimit të shkurtuar, duke përfunduar në 1 vit burgim.
Gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe vënien e tyre në provë për 2 vite, me kusht që të mos kryejnë vepra të tjera penale dhe të mbajnë kontakte me Shërbimin e Provës.
Shkëlqim Hoxha u shpall fajtor për veprën penale “Moskallëzimi i krimit” dhe u dënua fillimisht me 6 muaj burgim, dënim që u ul në 4 muaj pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar.
Dënimi me burgim u zëvendësua me punë në interes publik, konkretisht 60 orë punë, që duhet të kryhen brenda 6 muajve, si dhe detyrimin për të mbajtur kontakte me Shërbimin e Provës.
Gjykata urdhëroi gjithashtu kthimin e celularëve të sekuestruar shtetasve Limon Shala, Fatmir Thaçi dhe Engjell Cara, ndërsa shpenzimet proceduriale iu ngarkuan të pandehurve.
Vendimi mund të ankimohet në Gjykatën e Posaçme të Apelit, brenda 15 ditëve nga njoftimi i vendimit të arsyetuar.
(A2 Televizion)