Gati 25 pasuri të luajtshme e të paluajtshme të Argita e Jamarbër Malltezit, vajzës dhe dhëndrit të ish-kryeministrit Sali Berisha, të sekuestruara nga SPAK për llogari të dosjes “Partizani”, do të vijojnë të qëndrojnë të ngrira.
Gjykata e Posaçme vendosi të hënën të mos cenonte vendimin e marrë me herët prej saj për sekuestrimin e pasurive, si vlerë e barazvlefshme e produktit të veprës penale për të cilat akuzohet Jamarbër Malltezi, “korrupusionit” dhe “pastrimit të parave”.
Vendimi u dha nga treshja gjykuese, që shqyrton dosjen “Partizani” në Gjykatën e Posaçme. Pasi dëgjoi pretendimet e përfaqësuesve ligjorë të bashkëshortëve Malltezi, gjykata vlerësoi se kërkesa ishte e pambështetur në ligj e në prova.
Në këtë proces, kërkuesit pretenduan kthim të sendit të sekuesturar, me arsyetimin se vlera e pasurive të bllokuara nuk ishte e ekuivalente me dyshimet e SPAK dhe se disa prej pronave janë bashkëpronësi e Argita Malltezit, e cila nuk ka asnjë barrë penale në këtë çështje.
Pasuritë e familjarëve të ish-kryeministrit Berisha u bllokuan me vendim gjyqësor në tetor 2023 në të njëjtën kohë kur ndaj Jamarbër Malltezit u caktua masa e sigurisë “arrest në burg”, masë që e vuajti një muaj, derisa ndryshoi në masë më të butë. Mes pasurive që nuk mund të tjetërsohen janë 16 apartamente, disa llogari bankare dhe kuotat e tij në disa shoqëri tregtare.
Gati një orë pas rrëzimit të kërkesës së Malltezit, e njëjta trupë gjykuese shtyu për më 10 nëntor seancën e radhës të shqyrtimit paraprak të dosjes “Partizani”, për shkak të mungesës së një prej avokatëve në proces. (A2 Televizion)
