Nisin homazhet në nderim të ish-kryeministrit Fatos Nano

Nga A2 CNN
2 Nëntor 2025, 09:08 | Kronikë

Nisin homazhet në nderim të ish-kryeministrit Fatos Nano

Kanë nisur homazhet në Pallatin e Kongreseve, në nderim të ish-kryeministrit dhe liderit historik të Partisë Socialiste, Fatos Nano.

Burime për A2 CNN bëjnë me dije se qindra qytetarë, të ardhur dhe nga rrethet, kanë qenë ndër të parët që kanë kryer homazhe.

Po ashtu bëhet me dije se të pranishëm janë familjarë të Fatos Nanos, mes tyre bashkëshortja e tij, Xhoana Nano, djali Sokoli dhe ish-bashkëshortja Rexhina. Homazhet publike kanë nisur që prej orës 8:30 të mëngjesit të sotëm. Më pas nga ora 11:15-11:45 do të zhvillohen homazhet e personaliteteve shtetërore dhe të trupit diplomatik.

Një pjesëtar i familjes së Nanos do të mbajë një fjalim. Gjithashtu fjalim mësohet se do të mbajë edhe kryeministri Edi Rama, shkruan A2 CNN.

Në ceremoni do të marrin pjesë edhe personalitete politike nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, mes tyre Albin Kurti dhe Ali Ahmeti.

Në respekt për kontributin e tij në jetën publike dhe politike të vendit, 2 nëntori është shpallur edhe ditë zie kombëtare.

Të gjithë flamujt në institucionet shtetërore do të ulen në gjysmë shtizë dhe në orën 12:00 do të ndalojë çdo aktivitet për të mbajtur një minutë heshtje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos