Gazetari Enrik Mehmeti është pjesë e hetimeve të policisë për ngjarjen në Vlorë, ku u dhunua një kamerier ndërsa një efektiv policie përfundoi në spital. “Personi i dhunuar dhe policia ka nxjerrë që unë kam qenë pjesë e konfliktit që ka ndodhur. Nëse ka një fakt real që mund të kem qenë i përfshirë në këtë ngjarje, jam i hapur. Pata presione të ndryshme që të mos publikoja videon e dhunës ndaj tij, të mos publikohej intervista” thotë gazetari Mehmeti në një intervistë ekskluzive në “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN.
“Nuk mund të mbyll sytë para padrejtësive që bëhen ndaj qytetarëve të qytetit ku unë punoj dhe jetoj. Nëse nuk do të ishte për videon ajo ngjarje do të kalonte në heshtje. Më akuzojnë se kam dhunuar efektivin dhe personin që ishte me të. Disa që duan të më përfshijnë, vetëm e vetëm pse unë publikova këto pamje, vetëm pse publikova intervistën e Aronit. Unë nuk e mbyll gojën para padrejtësive. Do të jem përkrah çdo qytetari të Vlorës”.
Mehmeti tregon edhe dinamikën e ngjarjes, ku sipas tij, edhe pse kishte ndodhur një ngjarje e rëndë, policia nuk erdhi në kohë, madje pas shumë minutash, aty u shfaq vetëm nëndrejtori i policisë, Klodian Kondi, pa asnjë efektiv.
“Edhe pse ishte dhunuar një kamerier, nuk dukej policia asgjëkundi. Më pas mbërriti pronari, i kërkova pamjet dhe po flisja më të riun për të përgatitur intervistën. Mësova se aty ka ndodhur një përplasje për herë të dytë”, tha Mehmeti. (A2 Televizion)