Operacioni "Ura", lihen në burg Genti Ndërjaku dhe Ervis Deti, do ekstradohen në Itali

Nga A2 CNN
22 Maj 2025, 14:25 | Kronikë

Operacioni "Ura", lihen në burg Genti Ndërjaku dhe Ervis

Gjykata e Tiranës ka miratuar kërkesën e autoriteteve italiane për nisjen e procedurave të ekstradimit për Genti Ndërjakun (i njohur edhe si Ekil Ndërjaku) dhe Ervis Detin, të arrestuar gjatë operacionit "Ura", i cili synonte goditjen e një organizate kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike.

Pas kërkesës së prokurorit Endrit Bimi, gjykata vendosi masën e arrestit në burg për të dy të arrestuarit deri në mbërritjen e dokumentacionit për ekstradim nga autoritetet italiane.

Për më tepër, Gjykata e Tiranës shpalli moskompetencë dhe e kaloi çështjen në Gjykatën e Durrësit, e cila do të merret me vendimmarrjen për ekstradimin e tyre, pasi dy të arrestuarit janë banorë të këtij qyteti.

NJOFTIM PËR SHTYP

Referuar interesit të shfaqur nga disa gazetarë, komunikohet informacioni zyrtar në vijim:

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Dhoma Penale, sot më datë 22.05.2025, pasi shqyrtoi në seancë gjyqësore me dyer të mbyllura, në praninë e palëve ndërgjyqëse, kërkesën e paraqitur nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë”, për shtetasit: G. N. alias E. N. dhe E.D, kërkesën me objekt: “Për miratimin e arrestimit të përkohshëm për qëllime ekstradimi dhe caktimin e masës së sigurimit personal “arrest ne burg”.

Gjykata pasi administroi provat shkresore, shqyrtoi ato në tërësi, si dëgjoi konkluzionet përfundimtare

PËR KËTO ARSYE;

Gjykata duke u bazuar në nenet 493 e vijues të  K.Pr.Penale

V E N D O S I:

1.     Vleftësimin si të ligjshëm të arrestimit për qëllime ekstradimi të shtetasve G. N. (alias E. N.), i biri i . dhe i ., lindur më .dhe E. D., i biri i B. dhe i N., lindur më . të kryer nga policia gjyqësore në bazë të “Procesverbal për arrestin ndërkombëtar 21.05.2025 ora 10:00”.

2.     Caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 të K.Pr.Penale ndaj personave në kërkim G. N. (alias E. N.) dhe E. D.

3.     Shpalljen e moskompetencës tokësore të Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe dërgimin e akteve për kompetencë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.

4.     Ky vendim t’i njoftohet menjëherë Ministrit të Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë.

5.     Urdhërohet prokurori dhe policia gjyqësore për zbatimin e këtij vendimi.

6.     Kundra këtij vendimi mund të bëhet ankim brenda 5 ditëve në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

U shpall në Tiranë, sot më datë 22.05.2025. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos