Që prej vitit 2020 Policia e Shtetit ka njoftuar arrestime në Dubai të disa prej eksponentëve më të lartë të krimit shqiptar. Ndonëse gjithmonë thuhet se janë në pritje të ekstradimit asnjë prej tyre nuk ka prekur tokën shqiptare për tu përballur me drejtësinë. Edhe prangosja e Durim Bamit tre ditë më parë në Emiratet e Bashkuara është e njëjta histori. E njëjta deklaratë e policisë se mbi 45-vjeçarin tashmë kanë nisur procedurat e ekstradimit por lajmet nga Dubai kanë përfunduar shpejt me lirimin e të dyshuarve.
Edhe pse të gjithë donin zhdukjen e Bamit e vendosën për kokën e tij 1 milionë euro ai ishte një objektiv i vështirë. Në dosjen “Revanshi”, ish-deputeti socialist Arben Ndoka kërkonte zhdukjen e tij, pasi dyshonte Bamin si të përfshirë në vrasjen e të vëllait. 45-vjeçari nuk u arrit të arrestohej në Shqipëri, ndërsa ra në pranga në Dubai. Por ndër vite edhe pse është tentuar nga qeveria nëpërmjet ministrave të Brendshëm të arrihet një marrëveshje ekstradimi, diçka e tillë nuk është përfunduar kurrë. I pari që u prangos në shtator të vitit 2020 ishte Eldi Dizdari. I njohur ndryshe dhe me emrin Denis Matoshi ishte një nga të arrestuarit si pjesë e kartelit të kokainës, që u godit nga Europol gjatë operacionit “Los Blancos”. Edhe pse Dizdari ra në pranga për llogari të Italisë dhe u fol shumë lidhur me aktivitetin e tij kriminal të trafikut ndërkombëtar të drogës, Dubai refuzoi ekstradimin e tij si në Shqipëri ashtu edhe në Itali.
Pak muaj më vonë e njëjta histori dhe me një nga anëtarët e ish bandës së Durrësit Plaurent Dervishaj. Në dhjetor të vitit 2020 Dervishaj, i cili ishte në kërkim për vrasjen e biznesmenit Valdin Lamajt dhe Klodian Saliut në vitin 2005, u arrestua në Dubai. Policia e Shtetit në atë kohë tha se po punonte për ekstradimin e tij, por burgu për Dervishajn zgjati vetëm 40 ditë.
Në Mars të vitit 2021 Florenc Çapja u prangos nga agjentët e zyrës së Interpol në Abu Dhabi. Prokuroria e Elbasanit e kishte shpallur në kërkim Florenc Çapjan për vrasjen e Nezir Gentian Beqirit të ndodhur në vitin 2012, por pak para se të lëshohej urdhri për ndalimin e tij Çapja ishte larguar nga vendi. Në Dubai ashtu si dhe me të kërkuarit e tjerë pas disa ditëve qëndrim në qeli ai u lirua mes garancisë pasurore.
Pak muaj më pas në dhjetor të të njëjtit vit, në pranga ra dhe një tjetër i skeduar nga policia. Mikael Qosja apo Kel Kamami është një ndër personat e dyshuar nga policia për vrasjen e trefishtë të vitit 2019 në hyrje të Elbasanit ku mbetën të vdekur Enea Alibej, Albert Dylgjeri dhe shtetasi turk Erdal Duranaj. Pasi u ndalua nga autoritete arabe, policia i bllokoi vetëm pasaportën duke i ndaluar daljen nga Emiratet e Bashkuara Arabe, por duke mos e ekstraduar në Shqipëri.
Arrestime në Dubai kishte dhe një vit më parë. Në shkurt Dritan Shkëmbi i njohur dhe me emrin Amar akuzohej se ishte i përfshirë në atentatin ndaj prokurorit Ndoja në nëntor të vitit 2019. Për të njëjtën ngjarje, po në Dubai u arrestua dhe Julian Meçe por asnjëri prej tyre nuk u ekstradua në Shqipëri. (A2 Televizion)