
Është gjetur mëngjesin e sotëm trupi i pajetë i 30-vjeçarit Jurgen Karaj, cili më datë 10 janar 2026 u mor nga rrjedha e përroit të fshatit Dars. Trupi i pajetë është transportuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për kryerjen e ekspertizës mjeko-ligjore, me qëllim përcaktimin e saktë të identitetit dhe shkaqeve të humbjes së jetës.
“Gjatë operacionit të pandërprerë të kërkimit për gjetjen e shtetasit J. K., në orët e para të mëngjesit të sotëm, në lumin e fshatit Urakë, u gjet një trup i pajetë, i cili dyshohet se i përket shtetasit J. K., 30 vjeç, i cili më datë 10 janar 2026 u mor nga rrjedha e përroit të fshatit Dars”, njofton policia.

Në operacionin e kërkimit u angazhuan polumbarët e RENEA-s, Forca Kombëtare e Sigurisë, Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, Forcat e Armatosura të Ministrisë së Mbrojtjes, Forcat Speciale të Kosovës, si dhe forca vullnetare dhe familjarë.
Kujtojmë se ngjarja e rëndë u regjistruar pas mesnatës së 10 janarit në fshatin Dars të Klosit, ku një automjet doli nga rruga dhe ra në përroin e fshatit, ndërsa drejtuesi i mjetit u largua nga vendngjarja pa njoftuar Policinë dhe pa i dhënë ndihmë pasagjerit që ndodhej me të.
(A2 Televizion)