Pasuritë tek “Kodra e Diellit”, Apeli liron nga sekuestroja një nga vilat e Kryemadhit

Nga Armand Bajrami
17 Dhjetor 2024, 16:22 | Kronikë

27 ditë pasi bllokoi me një vendim gjykate dy vila në pronësi të deputetes Monika Kryemadhi dhe nënës së saj, Fatime Kryemadhi, SPAK humbi një prej tyre, shkruan A2 CNN. Ishte Gjykata e Apelit të Posaçëm që vendosi të lirojë nga masa e sekuestros vilën në pronësi të Fatime Kryemadhit, duke prishur masën e dhënë nga Gjykata e Posaçme.

Të njëjtin fat nuk e pati Monika Kryemadhi, vila e së cilës te Kodra e Diellit, në kryeqytet, sipas Apelit, do të vijojë të qëndrojë nën sekuestro.

Shpallja e vendimit u dëgjua në sallën e gjyqit nga vetë deputetja Kryemadhi, e cila në dalje tha se kjo ishte një hakmarrje ndaj saj për shkak të inceneratorit të Tiranës dhe, nga ana tjetër, këmbënguli se pasuritë e saj ishin të justifikuara me burime të ligjshme.

Teksa ka ende kohë për të kundërshtuar në Gjykatën e Lartë masën e sigurisë “detyrim për paraqitje”, Kryemadhi tha se më herët do të presë zbardhjen e një vendimi të Kushtetueses.

Bllokimi i pasurive të zonjës Kryemadhi apo dhe familjarëve të saj u kërkua nga SPAK për llogari të hetimit të nisur ndaj saj dhe ish-presidentit Ilir Meta, të cilët akuzohen për tre vepra penale: “korrupsion”, “pastrim parash” dhe “fshehje e mosdeklarim të pasurisë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos