Përmbyten disa qarqe, reshjet i marrin jetën një personi në Korçë

Nga Igli Çelmeta
22 Nëntor 2025, 14:20 | Kronikë

Përmbyten disa qarqe, reshjet i marrin jetën një personi në

Reshjet intensive të ditëve të fundit kanë lënë pas probleme në disa zona të vendit. Në qarkun Korçë, situata mbetet më e ngarkuar. Prania e ujit në disa banesa ka detyruar evakuimin e 15 familjeve në Sovjan. Ndërkohë, në Progër është shënuar edhe viktima e parë ngareshjet, ku është gjetur trupi i një 76-vjeçareje pas kërkimeve disa orëshe. Punohet në disa akse të dëmtuara nga dherat dhe hidrovoret janë në funksion të plotë. Në Lezhë, rreth 220 hektarë tokë janë nën ujë, kryesisht në Zejmen, Shënkollë dhe Barbullojë. Argjinatura në lagunën e Vainit është mbyllur, ndërsa vijon puna për mbrojtjen e banorëve dhe furnizimin me ndihma. Evakuime me varka janë kryer gjatë natës.

Në qarkun Vlorë, lumi Vjosa vijon uljen e nivelit, ndërsa ekipet kanë punuar për pastrimin e dherave në zonat Delvinë, Finiq e Konispol. Në Vrion u evakuuan disa banorë, ndërsa hidrovorët po punojnë me kapacitet të plotë. Në Fier, rreth 110 hektarë tokë mbeten nën ujë, por lumenjtë Vjosë dhe Seman janë në rënie. Autoritetet po monitorojnë argjinaturat, ndërsa në Ferras janë vendosur edhe trupa të Forcave të Armatosura, shkruan A2 CNN.

Në Dibër, po punohet për largimin e ujit dhe thellimin e kanaleve në Bulqizë, ndërsa monitorohet liqeni i Ulzës për rritje të nivelit. Në Shkodër, problematikë paraqitet zona e Qafë-Malit në Fushë-Arrëz, ku po pastrohen rrugët nga dherat. Situata është stabilizuar në Berat, Gjirokastër, Elbasan dhe Tiranë, megjithëse puna vazhdon në disa akse rrugore dhe në zonat pranë lumenjve, ku prurjet mbeten të larta.

Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia e Mbrojtjes Civile kërkojnë bashkëpunimin e banorëve në zonat e prekura dhe theksojnë se ekipet janë në terren deri në normalizimin e plotë të situatës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos