Reagimin e tij të parë publik mbi protestën e së shtunës në Zvërnec, ish-kryeministri Sali Berisha e bëri të hënën nga podiumi i përdyjavshëm para SPAK.
“Në qoftë se është fjala për dhunën e ushtruar ndaj protestuesit, e dënoj atë, ai ishte rrëmbim dhe rrëmbim në duart e policisë dhe e dënoj atë si një akt të shëmtuar të Policisë së Shtetit”, tha ai, përcjell A2 CNN.
Berisha tha se nuk kishte asnjë faqe nga projekti i investimit turistik në Zvërnecë. Ai konfirmoi qëndrimin e Partisë Demokratike pro investimeve të huaja dhe kujtoi një ligj të miratuar prej qeverisë së tij që zgjidhte çështjet e pronësisë në rastin e investimeve të huaja.
“Partia Demokratike mbështet absolutisht investimet e huaja, garanton pronën dhe pronarët me një ligj që ndofta nuk ekziston diku tjetër. Ligji thotë këto: Në rast se qeveria miraton një projekt të një investitori të huaj, i cili është bazuar në dokumente origjinale shtetërore pronësie, çdo problem që lind pas miratimit të qeverisë, qeveria i përgjigjet palës me çmimin e tregut”.
Berisha ishte në SPAK prej masës detyrim për paraqitje që e zbaton prej janarit 2025. (A2 Televizion)