
Një 42-vjeçar ka mbetur i plagosur me thikë paraditen e kësaj të mërkure në lagjen Nr 1 të qytetit të Sarandës dhe ka përfunduar në spital. Mësohet se plagosja ka ardhur pas një sherri të çastit mes tij dhe një personi të konfliktuar me të, për arsye që mbeten të paditura ende, shkruan A2 CNN. Autori i dyshuar mësohet ta ketë goditur me mjet prerës, duke i shkaktuar plagë në trup.
Mësohet se i lënduari është transportuar drejt spitalit të Sarandës për të marrë ndihmë mjekësore. Burime nga reparti i urgjencës bëjnë me dije se pas mjekimit, gjendja e tij vlerësohet relativisht e mirë dhe jashtë rrezikut për jetën. Konflikti ka ndodhur pas një debati të çastit për motive banale, ndërsa situata rrezikoi të agravonte më tej. Burime nga uniformat e bardha bëjnë me dije se plaga ka qenë sipërfaqësore.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forca të shumta policie, të cilat kanë ndërhyrë për të neutralizuar situatën. Mësohet se autori i dyshuar është shoqëruar në komisariat, ndërsa policia po verifikon kamerat e sigurisë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes. Deri më tani nuk ka informacion zyrtar mbi shkaqet e konfliktit, ndërsa hetimet vijojnë intensivisht. (A2 Televizion)