Policia e Lezhës ka reaguar në lidhje me plagosjen e ndodhur paraditen e sotme, ku u qëllua në drejtim të një shoferi furgoni.
Sipas bluve të qytetit, shkak është bërë konflikti i çastit mes një personi i identifikuar si Marjan Kola, banues në Kurbin, i cili ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të 35-vjeçarit nga Laçi, i identifikuar si Tonin Ndreca, i cili mësohet se ndodhet në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, raportohet se, autori i dyshuar është larguar menjëherë pas ngjarjes dhe vijon ndjekja nga ana e shërbimeve të Policisë për lokalizimin dhe kapjen e tij.
“Lezhë/Informacion paraprak: Rreth orës 11:00, në qytet Lezhë, në afërsi të shinave të trenit, gjatë një konflikti të çastit që dyshohet për parkimin e automjeteve, shtetasi M. K. banues në Kurbin, ka plagosur me armë zjarri shtetasin T. N. 35 vjeç, banues në Laç, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Autori i dyshuar është larguar menjëherë pas ngjarjes dhe vijon ndjekja nga ana e shërbimeve të Policisë për lokalizimin dhe kapjen e tij. Në vendngjarje, grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor.”, thuhet në njoftimin e policisë së Lezhës. (A2 Televizion)