Një plagosje me armë zjarri kallashnikov ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në lagjen "24 Maji". Nga një mjet në lëvizje dyshohet se është goditur në drejtim të automjetit tip Mercedez Benz ku lëvizte targeti i sulmit Kevin Hajrulla 30 vjeç. Si rrjedhojë e breshërisë së plumbave ka mbetur i plagosur edhe Armand Spahiu, i cili ka qenë tregtar ambulant i fruta-perimeve i moshës 35 vjeç. I plagosuri Kevin Hajrulla është transportuar në gjendje të rëndë në spitalin e Vlorës, ndërsa Armand Spahiu tregtari i fruta perimeve ka marrë një plagë në këmbë.
Mbi 30 gëzhoja kallashnikovi dyshohet se janë derdhur në drejtim të 30-vjeçarit Kevin Hajrulla, në një atentat mafioz dhe të mirëmenduar. Në vendngjarje gëzhojat janë shpërndarë kudo, teksa prej pamjeve shihet qartë plumbat e shumtë të shpërndarë si dhe këpuca e të plagosurit dhe një bidon ujë që i është dhënë për ndihmë të parë
Kevin Hajrulla ka marrë plagë të shumta në trup. Pas ndihmës që i kanë dhënë kalimtarët e rastit, ku nëpërmjet një video të siguruar nga A2CNN në momentet e para pas ngjarjes e nxjerrin nga makina dhe më pas e kanë me transportuar me urgjencë në spital. Ai është futur menjëherë në sallën e operimit.
Plumbat kanë kapur dhe një tregtar të fruta perimeve që punonte në hesapin e tij pak metra më larg. Një dëshmitar i rastit, shitës në një tabakino tregon ato pak momentet e tmerrit duke thënë se sa ka dëgjuar krismat është shtrirë i terrorizuar përtokë.
Në vendngjarje edhe drejtuesi i policisë së qarkut Vlorë Elidon Çela, por edhe përfaqësues të prokurorisë. Çela në një deklaratë për media sqaron se autorët pasi kanë kryer atentatin janë larguar në drejtim të autostradës Levan-Vlorë, teksa në afërsi të fshatit Panaja kanë djegur makinën e llojit Kia.
Brenda makinës janë gjendur dy armë zjarri kallashnikov si dhe dy karikatorë. Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë në vendngjarje të cilat kanë qenë të shumta dhe kanë filmuar të gjithë skenën, por edhe kamera sigurie në itenerarin e autorëve nga lagja "24 Maji" deri në Panaja. Kevin Hajrulla nuk rezulton me të shkuar kriminale, por ai është djali i xhaxhait të Inez Hajrullës i njohur me nofkën Sakati, pjesë e botës kriminale në Vlorë. Kushëriri i të fortit të Vlorës mësohet të jetë shënjestra e atentatit. (A2 Televizion)