SPAK kërkoi fajësi dhe një total prej 74 vitesh burg ndaj shtatë të pandehurve të dosjes “Metamorfoza”, mes të cilëve ndodhet një biznesmen, një ish-prokuror dhe një ish-zyrtar i lartë i Policisë së Shtetit.
Në çështjen ku gjykohen me kohë të shkurtuar, SPAK kërkoi 15 vite burg për të pandehurin Behar Brajoviç (Bajri), i dyshuar si drejtues i grupit kriminal. Sipas SPAK, ai duhet të fajësohet për “sigurim të kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje” në dëm të Kleant Musabelliut, Dorian Dulit, Genc Tafilit dhe Ibrahim Liçit, për “grup të strukturuar kriminal”, “armëmbajtje pa leje” dhe “korrupsion të gjyqtarëve e prokurorëve”.
Për të njëjtat akuza, prokurorët e SPAK, Arben Kraja dhe Bledar Maksuti kërkuan një dënim me 14 vite për biznesmenin Pëllumb Gjoka, i njëjti që kundërshtoi gjyqësisht deri në Kushtetuese përdorimin si provë nga SPAK të komunikimeve në SKY ECC. Për ish-prokurorin e Kukësit, Xhevahir Lita, i akuzuar për “zbulim të akteve ose të dhënave sekrete” dhe “korrupsion të gjyqtarëve e prokurorëve”, me qëllim zbutjen e pozitave penale të Behar Brajoviç, Struktura e Posaçme vlerësoi para gjykatës nevojën e një dënimi me 6 vjet burg.
Ish-shefi i Forcave Operacionale, Oltion Bistri, rrezikon një dënim me 9 vjet burg, pasi, sipas SPAK, duhet të deklarohet i fajshëm për “korrupsion”, “nxjerrje të të dhënave ose akteve sekrete”, si edhe për “pastrim të parave”. E njëjta masë dënimi u kërkua edhe për ish-zyrtarin e Policisë, Ardit Hasabegaj, ndërsa për të pandehurit, Edmond Preka dhe Astmer Bilali, SPAK kërkuan dënime me nga 11 dhe 10 vite burg.
Për shkak të gjykimit të shkurtuar, për të gjithë të pandehurit SPAK kërkoi uljen e një të tretës së masave të kërkuara. (A2 Televizion)