U vra me pushkë nga biznesmeni italian pasi i grabiti shtëpinë, zbulohet identiteti i të riut shqiptar

Nga A2 CNN
26 Qershor 2025, 18:38 | Kronikë

U vra me pushkë nga biznesmeni italian pasi i grabiti shtëpinë,

Një sipërmarrës ndërtimi italian ka pranuar se ka vrarë një të ri shqiptar dhe ka fshehur trupin e tij, pasi viktima kishte tentuar të grabiste banesën e tij në zonën e Cilentos, së bashku me 2 bashkëkombës të tij.

Ngjarja ndodhi gjatë natës mes së dielës dhe të hënës, kur tre shqiptarët hynë për të grabitur vilën e biznesmenit 58-vjeçar Aurelio Valiante. Gjatë përplasjes, sipas hetimeve të para, Valiante ka marrë një pushkë gjahu dhe ka qëlluar në drejtim të tyre.

Si pasojë e të shtënave, humbi jetën 25-vjeçari shqiptar, i identifikuar si Rivaldo Rusi, ndërsa një tjetër i ri shqiptar, 28 vjeç, mbeti i plagosur rëndë dhe ndodhet në spitalin “Cardarelli” në Napoli, në gjendje kritike shëndetësore.

Në vend që të njoftonte policinë apo ambulancën, Valiante ka vendosur të fshehë trupin e të ndjerit. Pas disa ditësh heshtjeje, ai është dorëzuar në polici dhe ka rrëfyer ngjarjen, duke udhëhequr hetuesit drejt vendit ku kishte fshehur trupin – një fermë në zonën Limazzo, pranë një fushe sportive. Trupi i të riut u gjet brenda një vaska vere, në gjendje të rënduar.

Një pikë kthese në hetime ishte dëshmia e të plagosurit, i cili nga spitali tregoi se kishte parë mikun e tij të rrëzohej dhe më pas ishte tërhequr zvarrë nga vendi i ngjarjes. Fillimisht deklarata e tij u mor me rezervë, por më pas u vërtetua nga rrëfimi i vetë autorit.

Aurelio Valiante pranoi para Prokurorisë së Vallo della Lucania akuzat për vrasje, fshehje të kufomës dhe lëndim të rëndë trupor. Trupi i viktimës është dërguar në morgun e spitalit “San Luca” për autopsi, ndërsa identifikimi u konfirmua përmes dëshmive dhe verifikimeve të policisë.

Autoritetet italiane kanë nisur hetime të plota për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë. Ndërkohë, Valiante përballet me akuza të rënda penale dhe pritet të dalë përpara drejtësisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos