A2 CNN ka siguruar pamjet e shpërthimit të lëndës plasëse që iu vendos automjetit të një polici në qytetin e Shkodrës.
Nga pamjet e filmuara nga kamerat e sigurisë, shihen dy persona të maskuar për të evituar identifikimin, që tentojnë të hipin në avllinë e banesës.
Shpërthimi i eksplozivit u dëgjua rreth orës 04:00 të mëngjesit. Ngjarja ndodhi në lagjen “Tepe” dhe lënda plasëse u vendos në mjetin e efektivit të policisë, Kastriot Selimaj.
NJOFTIMI I POLICISË
“Në automjetin e shtetasit K. S., 50 vjeç, (punonjës Policie), i parkuar në oborrin e banesës, është vendosur lëndë plasëse te goma e pasme e automjetit. Si pasojë është dëmtuar pjesërisht automjeti.”
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e Policisë të cilat vijojnë kontrollin në zonë.
Ndërkohë grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po kryen veprimet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve. (A2 Televizion)