Ministri i Financave, Ervin Mete është paraqitur këtë të mërkurë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme.
Nuk ka konfirmim zyrtar për arsyen e thirrjes në SPAK të ministrit, por burime jo zyrtare e lidhin me hetimin për inceneratorët, për veprime që Mete ka kryer kur ushtronte detyrën e zv/ministrit të Financave, kohë kur dikasteri drejtohej nga Arben Ahmetaj.
Interesimit të gazetarit të A2CNN, Armand Bajrami, i cili e pyeti se për çfarë arsye ishte në SPAK, Mete ka refuzuar t’i përgjigjet dhe menjëherë pas daljes së tij është drejtuar për nga makina që e priste jashtë dyerve të organit të akuzës.
Kujtojmë se Mete prej shtatorit 2023 mban postin e Ministrit të Financave. Përpara kësaj detyre, ai ka qenë Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), i votuar më 28 maj 2020 nga Kuvendi i Shqipërisë.
Më herët, Mete ka mbajtur edhe postin e Kryetarit të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, prej shtatorit të vitit 2019. (A2 Televizion)