
Autoritetet britanike kanë rihapur çështjen e kërkimit ndaj ish-zyrtarit të lartë të SHIK-ut, Ilir Kumbaro, i cili akuzohet për rrëmbimin dhe torturimin e tre shtetasve në vitin 1995, raportojnë mediat lokale atje. Kumbaro, tashmë në të 70-at, është zhdukur prej 14 vitesh në Mbretërinë e Bashkuar, pasi u arratis nga drejtësia britanike në dhjetor të vitit 2011, pak para se të dilte në gjyq, për t’u ekstraduar në vendin tonë, përcjell A2 CNN.
Kumbaro akuzohet nga drejtësia shqiptare për rrëmbimin dhe torturimin e Remzi Hoxhës, Zizo Kristopullit dhe Avdyl Loshajt, në një magazinë në Tiranë më 21 tetor 1995. Remzi Hoxha, biznesmen dhe baba i pesë fëmijëve, është zhdukur prej asaj dite dhe konsiderohet i vrarë. Familjarët e viktimave kanë kërkuar prej vitesh drejtësi dhe dënimin e personave përgjegjës.

Kumbaro u largua drejt Britanisë në vitin 1996, ku arriti të siguronte azil politik me identitet të rremë, duke pretenduar se ishte refugjat kosovar me emrin Shaqa Shatri. Ai jetoi për më shumë se një dekadë në Londër, duke përfituar ndihma sociale dhe strehim shtetëror. Maskimi i tij u zbulua në vitin 2008 kur, përmes një aplikimi për përfitime të tjera, përdori gabimisht identitetin e tij të vërtetë.
Pavarësisht arrestimit të tij nga policia britanike në shtator të 2008-s, Kumbaro arriti të zhdukej para se të dëgjohej çështja e ekstradimit, duke u besuar se fshihej mes miqve jashtë Londrës.
Në vitin 2012, gjykata e krimeve të rënda në Tiranë e dënoi atë në mungesë me 15 vite burg. Scotland Yard tashmë ka hapur një apel të ri publik, në bashkëpunim me Crimestoppers, për të mbledhur informacion që mund të çojë në kapjen e tij. Familja Hoxha e ka përshëndetur këtë zhvillim, duke shpresuar se drejtësia mund më në fund të vihet në vend. (A2 Televizion)
