
Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim vëllezërit Florian dhe Shkëlqim Duka, të akuzuar për vrasjen me paramendim të biznesmenit Eduart Reçi, një ngjarje e ndodhur në nëntor të vitit 2024 dhe që shkaktoi reagim të gjerë publik.
Hetimet kanë zbuluar se dy vëllezërit kanë planifikuar dhe ekzekutuar vrasjen e Reçit për interes pasuror, pas një konflikti të zgjatur pronësor midis palëve. Prokuroria i ngarkon atyre tre vepra të rënda penale:
· “Vrasje me paramendim” e kryer në bashkëpunim,
· “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve të zjarrit”,
· “Prodhim, mbajtje apo shitje pa leje e armëve të ftohta”.
Sipas Prokurorisë, Eduart Reçi ndër vite kishte zhvilluar disa ndërtime në Tiranë, përfshirë dy pallate dhe një vilë, ndërsa hapësirat i jepte me qira. Me vëllezërit Duka ai kishte mosmarrëveshje të vazhdueshme, pasi lokali i tyre prekte një pjesë të tokës në pronësi të viktimës.
Duka, njëri prej të cilëve oficer policie, dyshohet se e kishin pushtuar sipërfaqen prej vitesh dhe kishin ngritur lokalin pa leje. Kur Reçi kërkoi që toka të lirohej ose çështja të zgjidhej përmes zhvillimit të një ndërtimi të ri, të pandehurit dyshuan se ndarja e pronës do t’i linte ata pa hapësirën e zaptuar. Hetimet tregojnë se motivi kryesor ka qenë interesi ekonomik.
Prokuroria ka dokumentuar një plan të detajuar kriminal, të hartuar nga vëllezërit:
· sigurimin e armës dhe dylbive për vrasje në distancë,
· qitje në poligon për saktësi,
· zgjedhjen e një pozicioni të padukshëm për kamerat,
· përdorimin e fishekzjarreve për të nxjerrë viktimën në oborr,
· kryerjen e vrasjes natën për të shmangur identifikimin.
Shkëlqim Duka konsiderohet ekzekutori, i cili më 8 nëntor 2024 ka kryer një tentativë të parë, ndërsa më 13 nëntor ka ekzekutuar vrasjen e Reçit në oborrin e lokalit të tij. (A2 Televizion)
