Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Krujë, ku një shtetas turk (që kishte edhe një shok me vete) ka goditur me makinë një 62-vjeçar, shtetasin Bujar Dedja, i cili ishte roje në një parkim privat.
Sipas burimeve për A2 CNN bëhet e ditur se dy turqit kanë qenë në një restorant të zonës dhe sapo janë ngritur prej andej kanë shkuar në një parking privat ku kishin lënë makinën.
Aty janë konfliktuar me rojën, shtetasin Bujar Dedja, sepse nuk donin të paguanin paratë për parkimin e automjetit, shkruan A2 CNN.
Dedja ka dashur të ndalojë mjetin e tyre, por ata e kanë marrë zvarrë me makinë, duke e lënë të plagosur. Ai ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Policia e Krujës arrestoi shtetasin turk që ishte drejtuesi i automjetit dhe u procedua penalisht në gjendje të lirë 23-vjeçari tjetër turk për ‘moskallëzim krimi’.
Njoftimi i Policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë arrestuan në flagrancë shtetasin turk Y. K., 23 vjeç, pasi ditën e djeshme, në Krujë, dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta,ka goditur me automjet shtetasin B. D., 62 vjeç, dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Si pasojë është dëmtuar 62-vjeçari, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin turk R. S., 23 vjeç(pasagjer në automjet), për moskallëzim krimi. (A2 Televizion)