Atentati me 4 të plagosur në Lundër, një motor i dyshuar si i autorëve gjendet i djegur në Mullet

Nga A2 CNN
19 Prill 2025, 17:01 | Kronikë

Atentati me 4 të plagosur në Lundër, një motor i dyshuar si

Një motor që dyshohet se është përdorur në atentatin e së enjtes në zonën e Lundrës, ku mbetën të plagosur katër personat që udhëtonin me një mjet “Mercedes Benz G Class”, është gjetur sot në Mullet.

“Në vijim të kontrolleve të pandërprera dhe të veprimeve hetimore që po kryhen nga grupi i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, me qëllim zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur më datë 17.04.2025, në Lundër, ku u qëllua me armë zjarri në drejtim të një automjeti me të cilin qarkullonin 4 shtetas, shërbimet e Policisë, ditën e sotme, kanë gjetur në afërsi të fshatit Fikas, Mullet, një motomjet të djegur, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët e kësaj ngjarjeje”, njofton policia.

Policia e Tiranës bën me dije se hetimet për ngjarjen e rëndë vijojnë dhe grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe sigurimin e çdo prove që do të çojë në identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Personat që udhëtonin me mjetin luksoz Mercedes Benz G Clas dhe po ktheheshin në Tiranë nga një festë ku kishin qenë për të festuar ditëlindjen e 11 të njërit prej tyre që mbeti po ashtu i plagosur. Mjetit ju zu pritë nga persona ende të paidentifikuar dhe që qëlluan me breshëri kallashnikovi nga një motorr në ecje. Drejtuesi i G Class-it, 34-vjeçari Arens Stafa për të shpëtuar nga vrasësit kreu disa manovra në rrugë dhe lëvizi në drejtim të Lundrës. Në rrugë për shkak se edhe vetë mori plagë, humbi kontrollin dhe u përplas me një tjetër makinë, dhe më pas humbi ndjenjat.

Ai, një 19 vjeçar si dhe dy vëllezërit djemtë e pronarit të një shoqërie sigurie private, përkatësisht 11 dhe 17 vjeç u dërguan në spital nga banorët e zonës që më pas njoftuan edhe forcat e rendit. Tre prej të lënduarve ndodhen jashtë rrezikut për jetën, ndërsa djali 11 vjeçar mori plagë në kraharor dhe gjendja e tij është më e rënduar. Policia nuk ka një pistë konkrete hetimore për atentatin ndaj tyre, pasi rezultoi të mos jenë persona problematikë apo me precedentë penalë. Ka dyshime të forta se atentatorët të kenë ngatërruar objektiv, shkruan A2 CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos