Plumbat ndaj familjes së Roan Brahimit, kontrolle te "armiqtë". Gjendet motor i djegur në Mullet

Nga Armand Bajrami
19 Prill 2025, 20:14 | Kronikë

Hakmarrja mbetet pista kryesore e deritanishme e policisë për vrasjen e Gjovalin Prendit në Pllanë të Lezhës.

Vrasja e babait 64-vjeçar të Roan Brahimit, i ekzekutuar në maj 2024 në Athinë, ka çuar hetuesit tek disa prej kundështarëve të njohur të të birit. Burime të A2 pranë grupit të hetimit konfirmuan kryerjen e kontrolleve në banesa të personave me të cilët Roan Brahimi ka pasur përplasje direkte, ka qenë i dyshuar për krime ndaj të afërmve të tyre, apo ka qenë aleat i kundërshtarëve të tyre.

Sipas burimeve, kontrolle janë bërë në banesa të Mirditës, në Fushë-Kuqe dhe në Fushë-Krujë, ndërsa nuk bëhet e ditur nëse janë gjetur apo administruar prova me vlerë për hetimit.

Ndërkohë, policia ka gjetur mjetin motor të autorëve të atentatit të së mërkurës në mbrëmje në Lundër, Tiranë, ku mbetën të plagosur katër persona, dy nga të cilët të mitur, ngjarje që dyshohet të ketë lidhje me vrasjen e Gjovalin Prendit. Kjo për faktin se mjeti që u bë pre e plumbave ishte i njëjti model dhe me targë me vetëm një gërmë diferencë, me mjetin që përdorej nga bashkëshortja e Roan Brahimit, që dyshohet të ketë qenë shenjestër e atentatit. Sipas Policisë së Tiranës, motorri është gjetur në fshatin Fikas të Mulletit, i djegur.

Eksperët e Policisë Shkencore po kryejnë kqyrje të nevojshme nëse mund të sigurojnë prova që t’i çojnë në identifikimin e autorëve të ngjarjes.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos