Policia Kufitare në Portin e Durrësit ka goditur një tjetër rast të tentativës për trafikim të municioneve dhe mosdeklarim të të hollave në kufi.
Si rezultat i kontrolleve është arrestuar në flagrancë shtetasi K. A., 55 vjeç, banues në Tiranë, i cili tentoi të fuste në territorin shqiptar 1000 fishekë gjahu, një armë gjahu dhe rreth 20 000 euro, pa i deklaruar në kufi.
Malli i paligjshëm ishte fshehur në kabinën e kamionit që drejtonte i arrestuari. Gjatë kontrollit të detajuar, Policia Kufitare gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale: fishekët, armën e gjahut, shumën e eurove, kamionin, si dhe pasaportën dhe celularin e shtetasit të ndaluar.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për hetime të mëtejshme.
(A2 Televizion)