Sherr pasi përplasën makinat, 4 të arrestuar në Durrës, një në kërkim

Nga A2 CNN
4 Prill 2025, 12:10 | Kronikë

Sherr pasi përplasën makinat, 4 të arrestuar në Durrës,

Pesë persona u përfshi në një përleshje fizike pas përplasjes së dy automjeteve në Durrës, ndërsa policia njofton se ka vënë në pranga 4 prej tyre e njëri është shpallur në kërkim.

Personat e ndaluar janë Altin, Edison dhe Robert Kraci, Agim Hasanbelliu.

“U konfliktuan fizikisht me njëri-tjetrin, pas përplasjes së 2 automjeteve, vihen në pranga 4 shtetas, shpallet në kërkim 1 tjetër. 

Procedohet administratori i lokalit në afërsi të të cilit ndodhi konflikti, sepse hoqi DVR-në e kamerave të sigurisë së lokalit.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e rrethanave të konfliktit të ndodhur pasditen e djeshme, në lagjen nr. 13, Durrës, specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh arrestuan në flagrancë shtetasit:

A. K., 42 vjeç, E. K., 36 vjeç dhe R. K., 32 vjeç (vëllezër), për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim;

A. H., 22 vjeç, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim, “Deklarimi i rremë” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vertetës”; 

-shpallën në kërkim shtetasin B. H., 63 vjeç, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëëpunim dhe “Shkatërrimi i pronës”;  

-referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. Zh., 35 vjeç, banues në Durrës, administratori i një lokalit përpara të cilit ka ndodhur konflikti, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. 

Dje, rreth orës 18:50, automjeti me drejtues shtetasin B. H. është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin A. K. Pas përplasjes, janë përfshirë në konflikt fizik, shtetasi A. K. dhe 2 vëllezërit e tij me shtetasit B. H. dhe A. H. 

Shtetasi A. H., gjatë kryerjes së veprimeve procedurale, nuk ka treguar për rrethanat e konfliktit dhe për shtetasit e përfshirë, ndërsa shtetasi A. Zh. ka hequr dhe ka fshehur DVR-në e kamerave të sigurisë së lokalit, me qëllim që të pengonte veprimet hetimore të Policisë.

Vijon puna për kapjen e shtetasit B. H. dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në konflikt. 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos