Paralajmëron Ministri: Një i mitur në dhunë, do paguajë familja. Ja gjobat që nisin nga nesër

Nga A2 CNN
30 Tetor 2026, 16:40 | Aktualitet

Paralajmëron Ministri: Një i mitur në dhunë, do paguajë

Ministri Demo bëri të ditura edhe masat e reja të miratuara nga qeveria për menaxhimin e tubimeve dhe ndëshkimin e akteve të dhunës. Sipas tij, në rastet kur të miturit përfshihen në vandalizëm apo akte dhune gjatë protestave, dëmet e shkaktuara do të mbulohen financiarisht nga familjet e tyre. Këto masa thekson ai janë marrë edhe në vendet e BE-së.

“Po ashtu qeveria shqiptare tashmë ka miratuar Aktin Normativ për sa i përket instrumenteve të reja ligjore, që i vihen në dispozicion Policisë së Shtetit për sa i përket menaxhimit të tubimeve të paligjshme apo dhunës së ushtruar në këto tubime. Po e filloj nga të miturit që është një masë në fakt që është ndërmarrë edhe në vendet e Bashkimit Europian duke filluar me Italinë, Francën, ku në fakt përcaktohet që nëse një i mitur merr pjesë në vandalizëm, nëse një i mitur merr pjesë në dhunë, dëmet që shkaktohen si rrjedhojë e këtyre veprimeve, do të mbulohen nga familjet e tyre”.

Ndërkohë, pjesëmarrësit në protesta të dhunshme do të përballen me masa administrative, gjoba, si dhe regjistrimin në një regjistër kombëtar të individëve që kanë marrë pjesë në manifestime të dhunshme. Demo njoftoi se masat e reja janë tashmë në fuqi dhe se në ditët në vijim do të bëhet publik një informacion më i detajuar për zbatimin e tyre.

“Po ashtu ata të cilët marrin pjesë në protesta të dhunshme do të kenë masa administrative duke filluar nga gjoba dhe elementë të tjerë duke përmendur në veçanti regjistrin kombëtar të individëve të dhunshëm, të cilët kanë marrë pjesë në manifestime në territor. Vetvetiu këto janë akte të rëndësishme dhe ne do të dalim shumë shpejt me informacion të detajuar për secilën prej masave, të cilat tashmë janë në fuqi. Dhe unë jam i bindur që këto do të ndihmojnë punën e Policisë së Shtetit për të pasur edhe një përgjigje proporcionale për sa u përket individëve, të cilët marrin pjesë në protesta të dhunshme”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos