Shkrumbimi i pallatit pranë QSUT, del ekspertiza e zjarrit, pyeten në prokurori 5 fëmijë

Nga Armand Bajrami
24 Prill 2026, 16:25 | Kronikë

Vatra e zjarrit që përpiu një pallat të tërë pranë QSUT në Tiranë një javë më parë, ka qenë karroca me kartona që duket në këto pamje. Burime pranë Prokurorisë së Tiranës bënë me dije se shërbimi zjarrfikës ka dalë në këtë përfundim pas ekspertimit të shkaqeve të zjarrit.

Sipas kësaj ekspertize, të depozituar pranë grupit të hetimit në Prokurorinë e Tiranës, shkaku i zjarrit në pallat kanë qenë faktorë të jashtëm, duke përjashtuar kështu ndezjen e zjarrit nga një shkëndijë elektrike apo bombol gazi në bizneset e katit të parë. Sipas hetimit, zjarri ndizet pak sekonda pasi prej saj largohen disa fëmijë, por nuk është saktësuar si është bërë ndezja.

Në kuadër të hetimit të rrethanave të zjarrit, Prokuroria e Tiranës ka marrë në pyetje pesë fëmijët që janë regjistruar nga kamerat e sigurisë pranë koshit me kartona. Pyetja e të miturve, banorë të pallatit, është bërë në prani të psikologëve dhe prindërve të tyre.

Ata kanë treguar se nuk bënë asgjë me paramendim. Sipas burimeve, të miturit kanë pohuar se kanë parë pranë koshit me kartona një vazo që nxirrte tym.

Deri më tani, për ngjarjen janë duke u hetuar në masën e sigurisë “detyrim për paraqitje” Razie Sula, Agron Cara, Enver Ademi dhe Altin Furtuna për “shkelje të rregullave për mbrojtjen nga zjarri”.

Prania e flakëve në një prej kullave të kompleksit të banimit pranë QSUT u njoftua pasditen e 14 prillit. Në vetëm pak minuta, zjarri u përhap me shpejtësi në fasadën e pallatit, duke përpirë të gjithë ndërtesën dhe duke shkaktuar dëme nga të pjesshme deri në tërësore në 71 apartamente. Fatmirësisht nuk pati asnjë jetë të humbur, por vetëm 8 persona të lënduar lehtë, disa prej të cilëve punonjës të zjarrfikëses.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos