Shpërndanin heroinë e kokainë në Lushnje, babë e bir arrestohen teksa përgatisnin dozat

Nga A2 CNN
25 Maj 2024, 11:36 | Kronikë

Policia në Lushnje ka arrestuar këtë të shtunë dy persona, të cilët akuzohen se përpunonin droga të forta, të llojit kokainë dhe heroinë, me qëllim shitjen në afërsi të shkollave, lokaleve dhe ambiente të ndryshme. 

Babë e bir u vunë në pranga teksa ishin duke përgatitur doza heroine dhe kokaine.

Uniformat blu sekuestruan 420 doza heroine, 77 doza kokaine, një sasi lënde e dyshuar si përzierës i lëndëve narkotike, 2 peshore elektronike, 3 celularë dhe para që janë përfituar nga kjo veprimtari kriminale.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, në kuadër të megaoperacionit policor antidrogë "Tempulli", dhe pas informacioneve të siguruara në rrugë operative se në  lagjen "Skënder Libohova", Lushnjë, organizohej veprimtaria kriminale e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, menjëherë kanë organizuar punën për goditjen e kësaj veprimtarie.  Për këtë rast u kapën në banesë duke përgatitur doza të lëndëve  të dyshuara narkotike heroinë dhe kokainë, shtetasi I. B., 61 vjeç, dhe djali i tij, shtetasi V. B., 32 vjeç, të dy banues në Lushnjë.

Në vijim të veprimeve të kryera nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier u bë i mundur arrestimi i dy shtetasve të mësipërm, pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, organizonin punën për përgatitjen dhe shitjen e lëndëve narkotike.   Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dozat e lëndës narkotike, 2 peshore elektronike, vlera monetare dhe 3 celularë.(A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos