Shtohen krimet kibernetike, eksperti: Gjobëvënie në rrjetet sociale, edhe Telegram problematik

Nga Xhensila Kodra
1 Prill 2025, 15:17 | Kronikë

Një 27 vjeçar nga Tirana u arrestua nga policia të hënën dhe në gjendje të lirë u procedua mikesha e tij, pasi i kërkonin një mijë euro një personi në mënyrë që të fshinin nga rrjeti social Tik-Tok disa foto dhe shkrime të jetës së tij private. Shantazhet e tyre kishin nisur një vit më parë. Nga të dhënat që a2cnn ka siguruar, rezulton se gjatë vitit 2024 veprat penale nga sulmet kibernetike hasën një rritje me 58% krahasuar me 2023-in.

Vitin e kaluar u regjistruan gjithsej 1,210 vepra penale në fushën e krimit kibernetik, 446 më shumë se viti paraardhës.

Eksperti Fatjon Softa thotë se kryesisht të rinjtë e përshirë në këtë vepër penale, përdorin shantazhet në formën e gjobëvënies.

“E para janë për gjobëvënie, një pjesë janë për hakmarrje, një pjesë janë për denigrim për arsye të ndryshme, dhe kjo vjen për faktin që përfshirja më e madhe e të rinjve në rrjetet sociale, përveç anëve pozitive e ka kthyer edhe duke përdorur anët negative. Këtu duhet të jetë kujdesi i personave që herë pas here duhet të jenë shumë strikt për mënyrën sesi japin fotot private”, thekson për A2 CNN eksperti Fatjon Softa.

Sipas tij, rreziku nuk vjen vetëm nga rrjeti social Tik-Tok, siç është stigmatizuar deri tani në publik, por ka edhe platforma të tjera të ligjshme që përdoren gjerësisht edhe nga grupet kriminale.

“U përqëndruam të gjithë tek Tik-Tok, por më i rrezikshëm është Telegrami. Është një platformë e cila po përdoret gjerësisht për këto shantazhe. Po përdoret nga grupet kriminale, po përdoret nga grupet që merren me fenomenin e prostitucionit, të drogës, të trafikimit të armëve, por edhe si një mjet ku të paktën armiqtë tanë, ose shtetet jo dashamirëse i kanë përdorur për të shpërndarë të dhënat sensitive siç ishin grupet që të gjitha të dhënat tona i shpërndanë përmes telegramit”, shprehet eksperti për A2 CNN.

Softa thotë se një pjesë e mirë e personave që bëhen pjesë e këtyre veprave penale nuk identifikohen, për shkak se kartat SIM i blejnë në treg të zi.

“SIM-et shqiptare që shiten te tregu ende nuk po e ndalojmë këtë fenomen. Tek posta kushdo që dëshiron të shkojë të blejë një numër anonim me 20 apo 30 mijë lekë të vjetra bëhet me një numër dhe ky numër fillon si bazë fillestare për t’u regjistruar nëpërmjet një numri anonim tek këto platforma të cilat i përdorin pastaj me profile false dhe bëjnë shantazhime”, thotë për A2 CNN eksperti Softa.

Vitin e kaluar, nga 1,031 autorë të identifikuar për sulmet kibernetike u arrestuan 244 persona, të tjerë u proceduan në gjendje të lirë dhe u shpallën në kërkim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos