“Ndryshimi i strukturës së re të Kuvendit duhet t’ju turpërojë”, Bardhi: Tregoni përralla me integrim

Nga A2 CNN
16 Shtator 2025, 10:45 | Politikë

“Ndryshimi i strukturës së re të Kuvendit duhet t’ju

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, kritikoi strukturën e re të Parlamentit të propozuar nga mazhoranca.

“Shqetësimi më i madh që ka ky Kuvend nuk është struktura e komisioneve parlamentare, është fakti që ky krah i sallës plenare janë kthyer në noterë të qeverisë. Shqetësimi më i madh që ka Kuvendi është se me votat e mazhorancës votohen ligje që grabisin paratë publike, ligje të sponsorizuara nga oligarkët. Ky është shqetësimi që ka Kuvendi, vjedhja. Keni kaluar këtu ligje të shkruara dhe nuk e thotë opozita, por dosjet e SPAK-ut, të shkruara në kompjuterin e Klodian Zotos”, tha Bardhi.

“Ky është shqetësimi që ka Kuvendi, nuk ka shqetësim nëse organizohet në 10 apo 8 komisione. Sa i takon ndryshimeve të rregullores, duhet të turpëroheni. Ndodh për herë të parë që ndryshimet në rregullore, për strukturën, diktohen nga kreu i ekzekutivit. Gjithë verës i diktoi strukturat pushtetit lokal, i tha bashkive me këtë strukturë do qeverisni. I diktoi vendimmarrjet gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe nëse nuk i pëlqen, i sulmon në Facebook. Flisni për hapje kapitujsh e përralla integrimi pastaj. Gjeni një vend tjetër ku kryeministri sulmon gjyqtarët për çështje që humb si palë në procese. Nuk ndodh. Kishte ngelur vetëm Kuvendi. Ne po na diktohet ekzekutivi dhe na thotë se strukturën e Parlamentit do ta përshtasim me atë të Këshillit të Ministrave. Si mund që rregullat e një Parlamenti të diktohen nga një parti. Integrimin e keni vetëm për propagandë dite, sa herë vidhni dhe bëni një koncesion, dilni e thoni hapëm kapitujt. Hapja e kapitujve është proces normal, mbyllja e tyre është sfidë. Sa të jeni ju në qeveri e keni të pamundur të mbyllni një të vetëm duke nisur nga themeloret”, shtoi më tej Bardhi.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos