Sherret mes nxënësve të shkollave sa vijnë e shtohen, e duket se masat e marra nga autoritetet janë inekzistente. Dy ditë më parë, një tjetër sherr masiv ndodhi mes disa nxënësve të gjimnazit “Sami Frashëri” në Tiranë. Pasi mbaruan mësimin, një grup nxënësish u konfliktuan me sende të forta, përballë shkollës. Gjatë prej tyre përfunduan në polici, tre prej të cilëve të mitur, shkruan A2 CNN.
Për ekspertin kriminalistik Artan Rexhepi, siguria në shkolla ka dështuar. Ai propozon që përveç territorit të jashtëm të shkollës, policia duhet të ketë nën kontroll edhe ambientet e brendshme, e që oficerët e sigurisë të mos jenë në varësi të ministrisë së Arsimit.
“Shkollat duhet ti kalojnë policisë. Oficerët trupë për mendimin timë është praktikë e dështuar e ministrisë së Arsimit. Duhet të kalojnë në monitorim të Policisë së Shtetit. Ju garantoj që me disa herë do përmirësohet situata. Oficerët e sigurisë të trajtohen si oficerë trupë. Le të instalohen ata që janë e të marrin të drejtat e policisë”, thotë Rexhepi për A2 CNN.
Rexhepi propozon që në hyrje të shkollave të vendosen dedektorë për të kontrolluar nxënësit, si dhe të ndryshojë ligji për kontrollet e thikave. Sipas tij duhet që prindërit e nxënësve që kapen me thika të gjobiten.
“Duhet ndryshuar ligji për kontrollet dhe për thikat. Nuk mund ta trajtosh thikën armëmbajtje pa leje njësoj si arma e zjarrit. Kjo ju duket si politikë liberale, por në fakt nuk është politikë liberale. Por duke ulur dënimin për thikat ti mund të bësh kontrolle shumë më të shpeshta dhe mund të japësh masa dënimi shumë më të shpeshta. Sepse një student për një thikë nuk mund ta çosh 5 apo 6 vjet në burg, sepse i mer jetën. Nëse vendos një gjobë ke të drejtë të penalizosh prindin. Gjoba është shumë më e dhimbshme mendoj se sa një masë detyrim paraqitje ose një dënim me kusht. Nëse fëmija është i mitur mund të penalizosh prindin. Ose nëse i vendos gjobë 200 apo 300 mijë lekë të reja, ai prind nuk e lë më atë fëmijë të vijë i armatosur në shkollë”.
Një javë më parë, një nxënës shkolle po në Tiranë u arrestua pasi me vete në çantën e shkollës iu gjet një thikë. (A2 Televizion)