Po lëviznin në zemër të Tiranës pa e kuptuar që rrezikun e kishin pranë. Tre të mitur, dy 11-vjeçarë dhe një 9 vjeç që ecnin me monopatina u përplasën me një makinë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Pamjet në vendngjarje tregojnë se përplasja ishte tejet e fortë, aq sa monopatinat janë shkatërruar thuajse totalish, njëkohësisht edhe xhami i parë i automjetit.
Të miturit, të ndarë në dy skutera elektrikë, po lëviznin nga zona pranë Piramidës drejt Ministrisë së Brendshme. Ndërsa automjeti i drejtuar nga një 41-vjeçar po vinte nga Rruga e Elbasanit në kryqëzimin kryesor në Bulevard për të vijuar lëvizjen në unazë.
Burime nga grupi hetimor thonë që ekspertiza paraprake tregon se drejtuesi i automjetit që lëvizte edhe në korsinë e dedikuar për mjetet e transportit publik dhe taksive, dyshohet t’i ketë dhënë gaz pak metra para se të mbërrinte në kryqëzim, për të kaluar semaforin portokalli në mënyrë që të shmangë të kuqen. Fëmijët në monopatina kanë tentuar po ashtu të kalojnë rrugën pa u hapur ende jeshilja. Aksidenti tragjik ndodhi. Të miturit u dërguan me urgjencë në Spitalin e Traumës me njërin prej tyre që hyri në intubim për shkak të plagëve të marra në kokë. Drejtuesi i mjetit ka plagë të lehta, por ndodhet tërësisht në gjendje shoku. Ai u shoqërua në polici për veprimet e mëtejshme hetimore.
Pritet që eskpertiza përfundimtare të caktojë shkaqet e plota të aksidentit të rëndë.
Ndërkohë, rreziku i përdorimit të monopatinave në rrugë sa vjen e shtohet, pavarësisht apeleve të shumta që ekspertët kanë bërë për mospërdorim të tyre, e kur kjo bashkohet me mosrespektim të sinjalistikës rrugore, fataliteti është i pashmangshëm.
Policia bën me dije se në 35% të aksidenteve shkaktarë janë monopatinat dhe motomjetet. Sipas Kodit Rrugor, drejtuesit e këtyre mjeteve duhet të jenë detyrimisht të pajisur me një leje drejtimi, ndërsa ligji parashikon që një monopatinë duhet përdorur vetëm nga personat mbi 16 vjeç.
Në disa raste, Policia Rrugore e Tiranës ka aplikuar edhe masë administrative për këtë kategori shkelësish, gjobë e cila varion nga 250-1000 lekë të reja, por kjo nuk ka dekurajuar rritjen e numrit të tyre në çdo lagje të qytetit. (A2 Televizion)