Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar një ditë më parë në Gjykatën e Posaçme kërkesën për gjykimin e 6 të pandehurve, të akuzuar për veprat penale: “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsion aktiv i dëshmitarit, i ekspertit ose përkthyesit” dhe “Shpërdorim detyre”.
Sipas njoftimit të SPAK, avokati Armand Tragaj akuzohet se ka ushtruar ndikim të paligjshëm ndaj zyrtarëve publikë për të favorizuar klientët e tij, ndërsa në një rast ka tentuar të korruptojë një dëshmitar ose ekspert. Edison Cukaj (Gjoka) akuzohet për ndikim të paligjshëm, në bashkëpunim me të tjerë. Serxhio Shkodra, Ervis Deti, Bexhed Mema akuzohet për ndikim të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë në bashkëpunim. Ndërsa Naim Behluli punonjës policie në Portin e Durrësit akuzohet për shpërdorim detyre.
Në kuadër të një procedimi të nisur që në vitin 2019, SPAK ka dokumentuar përmes komunikimeve në aplikacionin e koduar SkyECC, përgjimeve dhe vëzhgimeve, përfshirjen e të pandehurve në skema korrupsioni dhe ndikimi të paligjshëm në sistemin e drejtësisë dhe në kalimet kufitare.
Ndërkohë, Edison Cukaj, ndonëse pa të drejtë ligjore për të kaluar kufirin drejt zonës Schengen, ka paguar 3,000 euro tek tre të pandehurit (Deti, Shkodra, Mema), të cilët nëpërmjet ndikimit te polici kufitar Naim Behluli, kanë mundësuar kalimin e tij të paligjshëm në Portin e Durrësit.
SPAK bën me dije se hetimet për këtë rast vazhdojnë për persona të tjerë të dyshuar si pjesë e kësaj veprimtarie kriminale.
Njoftimi i SPAK
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe ka dërguar më datë 21.10.2025 pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr.36/3 të vitit 2025, në ngarkim të gjashtë të pandehurve të akuzuar për veprat penale; “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funkisone publike”, “Korrupsion aktiv i dëshmitarit, i ekspertit ose përkthyesit” dhe “Shpërdorim i detyrës”, i parashikuar nga nenet 245/1, 312, 248 dhe 25 të Kodit Penal.
Të pandehurit:
Armand Tragaj, me profesion avokat, i akuzuar kryerjen e veprave penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, (kryer në 4 episode), parashikuar nga nenet 245/1, paragrafi 4 i Kodit Penal dhe “Korrupsioni aktiv i dëshmitarit, i ekspertit ose përkthyesit”, parashikuar nga neni 312 i Kodit Penal.
Edison Cukaj (Gjoka), i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 245/1, paragrafi 4 e 25 i Kodit Penal.
Serxhio Shkodra, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 245/1, paragrafi 4 e 25 i Kodit Penal.
Ervis Deti, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 245/1, paragrafi 4 e 25 i Kodit Penal.
Bexhed Mema, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 245/1, paragrafi 4 e 25 i Kodit Penal.
Naim Behluli, me detyrë punonjësi i policisë kufitare të pikës së kalimit kufitar të Portit Durrës, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Shpërdorim i detyrës”, i parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Faktet penale:
Gjatë hetimeve për procedimin penal 36 të vitit 2019 kanë rezultuar faktet penale të mëposhtme në ngarkim të shtetasve të përmendur. Në vijim, prokurorët e çështjes e kanë ndarë këtë procedim duke regjistruan procedimin nr 36/3 të vitit 2025. Gjatë hetimeve të kryera në kuadër të Skuadrës së Përbashkët Hetimore me autoritetet italiane për trafikun e lëndëve narkotike janë evidentuar edhe episodet e mëposhtme të përfshirjes së shtetasve shqiptarë në veprimtari të paligjshme.
Konkretisht i pandehuri Armand Tragaj, me profesion avokat, duke përdorur aplikacionin SkyECC ka komunikuar dhe ndërmarrë veprime për personat në mbrojtjen e tij ,duke ushtruar ndikim të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë. Ai, ka konsumuar elementet e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, (kryer në 4 episode), parashikuar nga nenet 245/1, paragrafi 4 i Kodit Penal, si dhe në një episod ka konsumuar veprën penale të “Korrupsioni aktiv i dëshmitarit, i ekspertit ose përkthyesit” parashikuar nga neni 312 i Kodit Penal.
Në një episod tjetër, nga përgjimet, vëzhgimet në ambiente publike si dhe aktet e tjera, rezulton e provuar se i pandehuri, Edison Cukaj (Gjoka), ndonëse ishte në dijeni të faktit që nuk ishte në kushte të rregullta ligjore për kalimin e kufirit, për të lëvizur në zonën ‘’Shengen’’, ka kontaktuar dhe është ndihmuar nga të pandehurit; Ervis Deti, Serxhio Shkodra, dhe Bexhed Mema, të cilët i kanë kërkuar dhe marrë shumën prej 3 (tre) mijë euro të pandehurit me qëllim ushtrimin e ndikimit të tyre tek punonjësi i policisë kufitare i pikës së kalimit kufitar të Portit Durrës, inspektor, Naim Behluli. Përmes ndikimit të ushtruar ndaj funksionarit publik dhe me vetëdije të plotë është realizuar kalimi i kufirit pa pengesa nga i pandehuri Edison Cukaj (Gjoka).
Hetimet vijojnë për persona të tjerë, të përfshirë në veprimtari kriminale.
(A2 Televizion)