Ilir Beqaj sulmon kreun e Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi

Nga A2 CNN
22 Tetor 2025, 11:50 | Kronikë

Ilir Beqaj sulmon kreun e Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi

Ish-ministrisë i Shëndetësisë Ilir Beqaj ka reaguar ndaj deklaratës së një dite më parë të kreut të Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi, në tryezën me përfaqësues të Komisionit të Venecias.

Përmes një postimi në Facebook të publikuar nga avokati i tij Ermal Yzeiraj, Beqaj e cilëson të papranueshme deklaratën e kreut të Gjykatës së Lartë i cili tha: “Qytetari nuk kërkon drejtësi të përsosur, por drejtësi që përpiqet çdo ditë të jetë më e drejtë.”

Beqaj e konsideron këtë qasje të rrezikshme dhe thekson se drejtësia nuk ka shkallë matëse, por ose është e drejtë, ose jo. Sipas tij, një vendim gjyqësor nuk mund të vlerësohet si “më pak” apo “më shumë” i drejtë, por ai ose respekton ligjin dhe të drejtat, ose jo.

Ish-ministri e krahason këtë me sektorin e shëndetësisë dhe shton se qytetarët nuk janë statistika, por individë që kërkojnë drejtësi të plotë dhe tani.

Beqaj ngre shqetësimin edhe për vonesat në proceset gjyqësore dhe për masat e sigurimit që sipas tij përdoren në mënyrë të tepruar.

Ai bën thirrje për refuzim të relativizmit në drejtësi dhe për një qasje më të përgjegjshme ndaj vendimeve që prekin jetët e njerëzve.

Postimi i plotë në Facebook

Në cilësinë e mbrojtësit ligjor të zotit Ilir Beqaj dhe me kërkesë të tij, po bëj publikimin në vijim:

Drejtësi më e (pa)drejtë çdo ditë

Kryetari i Gjykatës së Lartë, zoti Sokol Sadushi, ka deklaruar dje në një tryezë me përfaqësues të Komisionit të Venecias: “Qytetari nuk kërkon drejtësi të përsosur, por drejtësi që përpiqet çdo ditë të jetë më e drejtë.”

Është një deklarim i rëndësishëm, me dy dimensione: Autoritetin e vetë emrit të Sokol Sadushit në botën juridike shqiptare, dhe autoritetin e postit që mban — Kryetar i Gjykatës së Lartë.

Por për mua është një deklarim i papranueshëm, sidomos i thënë nga zoti Sadushi. Edhe nëse ai e beson këtë gjë, nuk duhet ta thotë. Sepse nuk duhet që ky mentalitet të legjitimohet si i pranuar nga shoqëria jonë, sidomos nga juristët — qofshin gjyqtarë, prokurorë apo avokatë. Duhet ta kundërshtojmë përpara se të bëhet sundues.

Në kuptimin filozofik, juridik, por edhe literal, një vendim gjykate nuk mund të jetë “më i drejtë”, sepse drejtësia nuk ka shkallë matjeje me termometër. Një vendim ose është i drejtë, sepse respekton ligjin, provat dhe të drejtat e palëve; ose është i padrejtë, sepse shkel njërin prej tyre.

Në këtë plan, drejtësia është absolute. Njësoj si jeta apo liria: ose e ke, ose jo. Një dënim i padrejtë nuk bëhet më i drejtë vetëm sepse një tjetër do të jetë më i mirë nesër.

Nëse Kryetari i Gjykatës së Lartë thotë se drejtësia do të jetë çdo ditë më e drejtë, atëherë kushdo prokuror mund të pranojë të bëjë një akuzë më pak të drejtë, sepse në të ardhmen do të bëjë një akuzë më të drejtë; dhe kushdo gjyqtar mund t’i lejojë vetes të japë një vendim më pak të drejtë, sepse në të ardhmen do të japë një gjykim më të drejtë.

Në sallat e gjykatave është e vizatuar peshorja e drejtësisë. Sipas deklaratës së zotit Sadushi, një peshore mund të peshojë çdo ditë më mirë. Po deri kur? Një peshore që nuk mat ekzaktësisht do të thotë që i vjedh blerësit. A ka vlerë të themi se do të peshojë çdo ditë më mirë, domethënë do të vjedhë çdo ditë më pak? Deri kur?

Kam profesion numrat, informacionin. Jam marrë me statistika. I kam pasion. Por puna direkte në sektorin e shëndetësisë më ka mësuar se çdo sëmundje apo pacient, në vetvete, për qytetarin dhe familjarët e tij, nuk është një rast midis të shumtëve, nuk është përqindje statistikore, por është e gjitha 100%. A mundet që një kirurg t’u thotë familjarëve se ka bërë një operacion më të mirë se herën e kaluar, por i afërmi i tyre ndërroi jetë, dhe t’u premtojë se herën e ardhshme do ta bëjë edhe më mirë operacionin? Edhe në drejtësi askush nuk pranon të jetë statistikë. Askujt nuk mund t’i thuash se herën e ardhshme do të ketë një vendim më të drejtë. Nuk i intereson hera e ardhshme.

Sepse për askënd çështja e vet nuk është si shalqiri me provë.

Prej muajsh, në mjedisin ku jetoj, informohem gati çdo ditë për vendime gjykatash që nuk zbatojnë vendime të Gjykatës së Lartë, pavarësisht se këto nuk janë unifikuese apo njësuese. Pyetem: si ka mundësi? Por përgjigjen e mora nga zoti Sadushi: gjyqtarët e paskan shtyrë për gjykimin e ardhshëm ta zbatojnë atë vendim dhe atëherë do të japin drejtësi më të drejtë.

Nëse magjistratëve u lejohet që të përmirësohen çdo ditë, edhe pse vendosin për jetë njerëzish, pse nuk u lejohet një nëpunësi që procedurën e ardhshme të koncesionit ta bëjë më mirë se aktualja, për të cilën po hetohet?

Përtej gjithçkaje, çështja që duhet zgjidhur sa më parë në drejtësinë shqiptare është koha e gjykimeve. Nëse Gjykata e Lartë një rekurs për masën e sigurimit e trajton për pesë muaj, çfarë drejtësie është kjo?

Jemi vendi që kemi më shumë të paraburgosur se të burgosur. Pse nuk dalin vendime unifikuese dhe/ose njësuese të Gjykatës së Lartë që t’i presin hovin një herë e mirë oreksit të prokurorëve për masa sigurie “arrest në burg” vend e pa vend?

Drejtësia o është e drejtë, o është e padrejtë. “Më e drejtë” apo “më shumë e drejtë” nuk mund të jetë, sepse kufirin midis “më e drejtë” dhe “më pak e drejtë” nuk e cakton askush.

I nderuar zoti Sadushi,

Sa më sipër nuk është polemikë, por mospajtim me relativizimin e drejtësisë dhe shqetësim që më vjen nga përvoja dhe nga përditshmëria e përballjes prej muajsh me padrejtësitë e drejtësisë.

Me respekt,

Ilir Beqaj (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos