Pas aksidentit tragjik në Durrës, ku humbën jetën dy të mitur, Policia e Shtetit ka përforcuar masat duke shtuar monitorimin e rrugëve me dronë dhe kamera inteligjente. Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike, Dhimitraq Ziu në një deklaratë për mediat tha se patrullat e policisë rrugore nuk janë larguar 100% nga terreni por do të ndërhyjnë kur të shohin shkelje të ligjitt. Sipas tij në 4 mujorin e parë të 2026 ka pasur një shtim të ndëshkimeve të shoferëve që kanë thyer rregullat e qarkullimit.
“Në këtë kuadër janë kalibruar 22 mjete shpejtësimatëse, janë pajisur të gjitha strukturat e Policisë Rrugore, me dronë, kamera, aparate fotografike, aparate alkooltestues dhe drogëtestues. Patrullat e Policisë Rrugore në akset nacionale do të ndërhyjnë kur konstatojnë sjellje agresive në rrugë, parakalime të njëpasnjëshme, manovra të gabuara apo shpejtësi dy deri në trefish, të cilat janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore”, tha Ziu, përcjell A2.
“Nisur nga perceptimi i gabuar në publik, se drejtuesit e mjeteve nuk do të ndalohen nga patrullat, sqarojmë opinionin publik dhe përdoruesit e rrugës se: Detyrat e vendosura në Telegramin nr. 3707, datë 10.04.2026, të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, “Mbi marrjen e masave për garantimin e qarkullimit të pandërprerë të mjeteve”, kanë të bëjnë me mosndalimin e automjeteve në akset rrugore nacionale, pa shkak, duke krijuar imazh të keq. Në akset rrugore nacionale, Patrullat e Policisë Rrugore të monitorojnë qarkullimin dhe të evidentojnë kundërvajtësit rrugorë nëpërmjet pajisjeve teknologjike. Punonjësit e Policisë, kur evidentojnë dhe dokumentojnë me mjete logjistike, sjellje agresive të drejtuesve të automjeteve, do të veprojnë në zbatim të Kodit Rrugor”. (A2 Televizion)