
Policia e Tiranës ka zbardhur në kohë rekord ngjarjen e një dite më parë në Kamzë, ku iu vendos lëndë plasëse një biznesi.
Pas verifikimeve dhe zbardhjes së kamerave të sigurisë, grupi hetimor arriti të identifikojë dhe të arrestojë 3 nga autorët e dyshuar të kësaj ngjarje, teksa është shpallur në kërkim një person i katërt.
Në kuadër të operacionit “Motivi” u vunë në pranga për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, shtetasit J. L., 31 vjeç, F. D., 30 vjeç, F. M., 34 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi E. L., 31 vjeç, të katërt banues në Kamëz.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas kanë hedhur lëndë eksplozive në fasadën e jashtme të biznesit, duke shkaktuar dëme materiale, për shkak të mosdhënies së një shume prej 500 000 euro, të kërkuar në formë gjobëvënieje ndaj pronarit të objektit, shtetasit S. S.
(A2 Televizion)
