Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit konfirmoi masën e sigurisë "arrest në burg" për Lulëzim Berishën.
Gjatë seancës Berisha ka përjashtuar veten nga vrasja e Saliut, duke i cilësuar si të pavërteta thëniet e të penduarit të drejtësisë, Luftar Reçi. "Nuk e njoh fare atë njeri, nuk e kam takuar asnjëherë. Nëse më provoni një kontakt më dënoni sa të doni. Njëlloj sic më ra akuza për vrasjen e Vajdin Lamajt, njëlloj do të bjerë edhe kjo", është shprehur Berisha.
Berisha mbërriti në tokën shqiptare nga Spanja, vend ku u arrestua në dhjetor të vitit 2023, në zbatim të një urdhër-kërkimi ndërkombëtar nga SPAK dhe një vendimi gjyqësor të pazbatuar prej tij. Një 1 vit e 3 muaj qëndrim në shtetin spanjoll, ku u gjet më një pamje të jashtme të transformuar dhe me një kartë identiteti bullgare false, ish-kreu i bandës së Durrësit bëri një betejë ligjore për mosekstradim në Shqipëri.
Në një proces, ku është i bashkëpandehur me gjashtë të tjerë, përfshi Plaurent Derivishajn dhe Emiliano Shullazin, Berisha po gjykohet si i përfshirë në ekzekutimin e Klodian Saliut, 26 shkurtin e vitit 2005 në aksin Durrës Tiranë. Në të njëjtin hetim, Berisha u dyshua edhe për vrasjen e biznesmenit Vajdin Lamaj, çështje që u pushua më pas me kërkesë të SPAK.
Hesapi tjetër me drejtësinë i Berishës janë gati 6 vite burg të pakryera prej tij nga dënimi i marrë si drejtues i bandën e Durrësit, përgjegjëse për disa ngjarje të rënda penale. Si drejtues i bandës, Lulzim Berisha u dënua përjetë në Shkallën e Parë dhe Apelin e Krimeve të Rënda, por Gjykata e Lartë në korrik2014 e zbuti dënimin në 25 vite.
Dy vjet më vonë, pasi kishte kryer gati 19 vite dënim, Apeli i Durrësit pranoi kërkesën e tij për lirim të parakohshëm dhe lënien në Shërbim Prove.
Një nga dokumentet në të cilat mbështeti pretendimin për lirim ishte një shkresë e firmosur nga ish-kryebashkiaku i kohës i Durrësit, Vangjush Dako, i cili thoshte se do ta punësonte Berishën në një nga drejtoritë e Bashkisë.
Në dhjetor 2021, teksa Berisha ishte shpallur në kërkim nga drejtësia, Gjykata e Lartë prishi vendimin e Apelit, duke detyruar kështu rikthimin në qeli të Berishës për vuajtjen e viteve të mbetura të dënimit me burg.
(A2 Televizion)