U grabitën 4.7 mln euro italianëve përmes Call Center-ave, dënohen me burg 16 persona

Nga A2 CNN
28 Tetor 2025, 17:12 | Kronikë

U grabitën 4.7 mln euro italianëve përmes Call Center-ave,

Gjykata e Posaçme ka dhënë vendimin përfundimtar në çështjen penale kundër 16 të pandehurve, të njohur si grupi i Call Center-ave, të cilët përfituan 4.7 milionë euro duke mashtruar shtetasit italian përmes platformave online.

Bruno Çobo dhe grupi i tij akuzoheshin nga SPAK për “mashtrim kompjuterik” dhe “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”.  Sipas vendimit u dhanë dënime që variojnë nga 6 vite e 8 muaj deri në 8 vite burgim efektiv, pas aplikimit të uljes me 1/3 për shkak të procedurës së shkurtuar për anëtarët e grupit.

DËNIMET KRYESORE:

•          Bruno Çobo, i konsideruar si një nga drejtuesit e grupit, u dënua përfundimisht me 8 vite burgim, për veprat penale “Mashtrim kompjuterik” dhe “Grup i strukturuar kriminal”.

•          Elisa Çaçi (Caci) dhe Gilbert Palushani u dënuan me nga 7 vite e 4 muaj burgim secili.

•          Aldo Pasku dhe Bruno Gjika morën dënime përfundimtare prej 6 vite e 8 muaj burgim.

•          Dënime me 6 vite e 8 muaj burg u dhanë edhe për Rezarta Ibrahimin (Çaçi), Valbona Abedinajn, Orland Canin, Florjan Bregun, Hamit Dobin, Greta Gjocin (Pepën), Gjin Shelnishtën, Antoneta Malon (Pepkolaj), Silvana Veliun dhe Mojsi Zunën.

Gjykata urdhëroi që vuajtja e dënimeve të kryhet në burgje të sigurisë së lartë, duke filluar nga dita e ekzekutimit të masave të sigurimit.

VEPRIMTARIA E GRUPIT:

Më 14 mars të vitit 2024, vetëm pak orë pas mbërritjes nga Dubai, Bruno Çobo u paraqit për herë të parë përpara toagve të zeza, ku u njoh me masën e sigurisë “arrest në burg” që ishte caktuar më herët në mungesë.

Çobo së bashku me 16 të pandehurit e tjerë akuzohen për pjesëmarrjen në një rrjet kriminal mashtrimesh që dyshohet se ka përfituar 4.7 milionë euro nga shtetas italianë përmes Call Center-ave në Tiranë.

Në seancën e parë gjyqësore ndaj tij Çobo deklaroi se ishte vetëdorëzuar, duke mohuar që të ishte shoqëruar nga autoritetet e Emirateve. “Erdha me këmbët e mia në Shqipëri. Nuk më ka shoqëruar asnjë autoritet i Emirateve apo Dubait. Erdha në Rinas dhe në pikën e kalimit iu komunikova se kush jam dhe cili ishte qëllimi i ardhjes time. U njoftuan shërbimet dhe më shoqëruan. Madje më ngjitën në avion edhe njëherë”, tha ai para trupës gjykuese.

Përmes platformave të investimeve fiktive në bursë ata kanë mashtruar mbi 1200 qytetarë italianë. Paratë e përfituara, sipas hetimeve, janë investuar më pas në kriptovaluta dhe asete të tjera digjitale. Hetuesit theksojnë se në disa raste dëmi ndaj viktimave ka qenë i jashtëzakonshëm pasi vetëm një shtetasi italian, grupi i ka marrë 700 mijë euro përmes skemave të rreme të investimeve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos