U përjashtua për 15 vite nga drejtësia, diskutohet fati i Alfred Ballës në krye të KLP-së

Nga Armand Bajrami
27 Maj 2024, 11:34 | Kronikë

KLP u mblodh për të diskutuar mbi fatin e Alfred Ballës. Mbledhja drejtohet nga Tartar Baze, nënkryetari i KLP. E vetmja pikë e rendit të ditës është diskutimi nëse ndikon ose jo në vijimin e detyrës së Ballës vendimi i KPA, që përjashton atë nga sistemi i drejtësisë për 15 vite.

Nurihan Seiti: Vendimi i KPA ende nuk është botuar në fletore zyrtare. Alfred Balla, Tartar Baze, Nurihan Seiri i ka mbaruar mandati më 19 dhjetor 2023. Për mua as Balla e as Baze nuk duhet të ishte në këtë këshill, derisa i ka mbaruar mandati. Kemi një praktikë të Antoneta Sevdarit. Ne vijojmë të kemi kryetar të Këshillit z. Alfred Balla. Mandati mund të ndërpritet veç me vendim të KLP.

Në mbledhjen ku nuk është i pranishëm vetëm Alfred Balla, Nurihan Seiti kërkon me tonë të forta të hidhet në votim një kërkesë e dërguar nga Balla me email për përjashtim nga diskutimi për emrin e tij të zv.kryetarit Tartar Baze.

Sokol Stojani: Kushtetuta parashikon se vendimet e KPA janë të zbatueshme menjëherë. Të gjitha pretendimet e paraqitura nga z. Balla, të cilat kanë qenë të parregullta ligjërisht dhe nuk duhet ta bënte, pasi është në konflikt interesi. Ne kemi 5 anëtarë prokurorë të KLP, që ishin zgjedhur sipas ligjit. U mandatuan, erdhën këtu, por në momentin që u shkarkuan nga KPA ata nuk ishin më magjistratë. Edhe unë vetë sot gëzoj atributet që më jep ligji, por nuk ushtroj funksionin e prokurorit. Për mua nga data 21 Balla nuk mund të ushtronte më funksionin. Çdo pretendim lidhur me KPA ka veç një mundësi, Strasburgu. Vendimi i KPA nuk mund të vihet në diskutim. Ne nuk e kemi autoritetin.

Lediana Riza: Ne duhet të respektojmë procedurën. Së pari t'i japim fjalën Komisionit të Mandateve për të paraqitur një raport e më pas të hapim diskutimet.

Vate Staka: Sot është një ditë, që mendoj më e vështira e KLP gjatë gjithë ekzistencës. Kjo është mbledhja e vështirë se po diskutohet mbi qëndrimin e kryetarit tonë prej 3 vjetësh. Unë kërkoj që ne sot, 10 anëtarë të KLP, të ngrihemi mbi nivelin e emocioneve. Qenia sot në KLP është detyrim ndaj atyre që na kanë zgjedhur. Gjithë prokurorët shqiptarë sot i kanë sytë e veshët në këtë seancë. Është Balla, por mund të ishte edhe dikush tjetër nga ne. Kërkoj me shumë dashamirësi t'i marrim më me qetësi, më me durim. Ashtu si kemi privilegjet tona, kemi detyrim të marrim një vendim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos