Skemë tipike të krimit të organizuar e cilësoi eksperti i sigurisë Ergys Muzhaqi atentatin në Rinas ku u ekzekutua me breshëri plumbash Gilmando Dani dhe mbeti i plagosur rëndë punonjësi i AMP-së Mustafa Sheqeri.
“Skema është e njëjta e krimit të organizuar tipike. Vidhet një makinë bëhet një krim. Kanë arritur të organizojnë kohën, vendin dhe armën me të cilën kanë goditur se e kanë shpartalluar makinën e blinduar dhe në kohë rekord kanë humbur gjurmët e tyre”, tha Ergys Muzhaqi në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN ai tha se zbulimi i këtyre krimeve ndodh vetëm përmes këtyre dy mënyrave: “Zbulimet për këto lloj krimesh më tepër bëhen me informacione të brendshme ose kriminelët shesin njëri-tjetrin, ose lidhjet e tyre politike vendosin që do të sakrifikojnë dikë nga moria e njerëzve që kanë organizuar. Kemi lidhje organike e strukturore të krimit të organizuar dhe politikës. Të gjitha faktet e tregojnë këtë”.
Ai denoncon keqqeverisjen si aktorin kryesor të dekadencës tonë sociale, politikën dhe bashkëpunimin me krimin.
“Po ndodh polarizim i tejskajshëm i shoqërisë sonë. Krimi i organizuar kontrollon shtetin dhe nga ana tjetër fatkeqësisht edhe pjesa tjetër e popullsisë që nuk është e strukturuar në krimin e organizuar po kalon ën krimin e çorganizuar po rritet niveli i krimit tek ne. Krimi i organizuar nuk pyet për shtetin. Pika të caktuara të strukturës policore janë harmonizuar me krimin e organizuar dhe zhvlerësojnë punën e mirë të forcës policore”.
(A2 Televizion)
